AMT kërkon rikthimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Ministrisë së Kulturës, paralajmëron padi për Margaritin
Ministria e Kulturës i ka mbyllur derën Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila do të dorëzonte një kërkesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar. Një veprim i tillë ngjalli indinjatë dhe revoltim tek përfaqësuesit e kësaj aleance, të cilët shprehen se do të padisin në SPAK drejtuesen e Ministrisë së Kulturës.
Tirane- Institucioni i radhës të cilit ju drejtua Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) ishte Ministria e Kulturës.
Ata kishin synim të dorëzonin një dokument përmes së cilës ti kërkojnë Ministrisë të marrë përsëri në pronësinë e saj Teatrin Kombëtar.
"Fakti që Gjykata Kushtetuese ka thënë që Teatri Kombëtar në momentin që është shembur ka qenë Monument Kulture atëherë detyrimnisht Ministria e Kulturës detyrohet me të gjithë mjetet e veta ligjore që ta rikthejë teatrin aty dhe ashtu siç ishte" u shpreh Arjana Kalaja, përfaqësuese ligjore e AMT.
Por atje u përballën me dyert e mbylluara të këtij institucioni.
Efektivët e sigurisë nuk i lanë artistët të depozitonin kërkesën, çka solli edhe momente tensioni mes tyre.
Të gjendur përballë këtij refuzimi, përfaqësues të AMT deklaruan se do të padisin edhe ministren e Kulturës Elva Margariti, për shkak se sipas tyre po pengon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
"Nëse Ministria e Kulturës dhe ministrja Margariti nuk marrin hapat ligjorë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese" vijon Kalaja.
Këtë mbyllje të dyerve të institucionit, ata e quajnë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.
"Nuk pres shumë nga ministrja Margariti sepse ju vodhën gërmat në katër të mëngjesit nga Bashkia dhe nuk u ndje" tha Neritan Liçaj.
"Një mënyrë fashiste e këtij shteti fashist që nuk pranon qytetarët e vet" u shpreh i indinjuar Edmond Budina.
Nuk munguan as ironitë nga aktivistët dhe artistët.
"Ti guxon dhe më mbyll derën mua që jam një qytetare në radhë të parë, një aktore në radhë të dytë, guxon dhe u mbyll derën dhe aktorëve të Teatrit Kombëtar. B***a është e jojta Elva, karrigia nuk është e jotja" u shpreh Juli Tolka.
"Këta të Ministrisë së Kulturës dinë një gjë që ne nuk e dimë, tani mora vesh që jam krimineli i fundit në Tiranë, nuk më lënë të hyj brenda" tha Mehdi Malkaj.
Megjithëse një moment ju komunikua se do të kishte një përfaqësi nga Ministria për kërkesën e tyre, kjo nuk ndodhi.
Pas disa minutash, mbështetësit e çështjes së Teatrit Kombëtar u larguan, duke thënë se do e depozitojnë kërkesën me postë.
