Analisti flet për DW: Raporti jo i mirë i Ramës me politikën kosovare më shumë personal

Përplasjet në distancë ndërmjet politikës kosovare dhe asaj të Shqipërisë janë kthyer në debat mes analistëve politikë. 

Blerim Burjani, analist politik  i tha DW-së se "keqkuptimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të evitohen nëse bashkëpunohet më ngushtë në fushën ekonomike”.

"Ballkan Open është ide që do të duhej së pari Kosovë-Shqipëri të bisedojnë për përparësitë dhe për mangësitë e një projekti të tillë në mënyrë që të shmangeshin keqkuptimet e ndërsjellta. Edi Rama  ka avancuar ne këtë ide jashtë angazhimit të Kosovës për të trajtuar fillimisht tema të kësaj natyre që nuk janë të reja dhe të panjohura për Kosovën, që dikur ishte përmend si "Ballkania". Keqkuptimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të evitohen  duke bashkëpunuar  ngushtë dhe sinqertë në fushën ekonomike e që një kohë të gjatë ka munguar ky sinqeritet në mes dy shteteve”, thotë Blerim Burjani.

Sipas analistit Burjani, kryeministri shqiptar Edi Rama, e sheh nismën e Balkan Open si një projekt për përfitim ekonomik sesa politik.

"Realisht kryeministrit Rama, nisma e Balkan Open i konvenon nga aspekti ekonomik dhe turistik, që në fakt më shumë duket turistik se sa ekonomik si  interes i Shqipërisë. Raporti i tij jo i mirë me politikën kosovare, duket të jetë më shumë personal se sa ndër-shqiptar, pasi shqiptaret dhe interesat e tyre janë interesa më të gjera se sa interesat e tjera. Open Ballkan për momentin duket me shumë  të panjohura në kuptimin politik, ashtu siҫ e mendon Prishtina, përderisa Tirana zyrtare e mendon puro interes ekonomik dhe avancim të lirive ekonomike”, thotë Burjani.

Kosova ka premtuar, se do t'i bashkohej, "mini-Shengenit” në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, marrëveshje kjo, e cila në dy dokumente të ndara u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik,  deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet abstenuan. Ideja e "mini-Shengenit" është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në "Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t'i bashkohen kësaj iniciative, shkruan DW