Debat për censusin në Kosovë, Murati: Regjistrimi i popullsisë i vitit 2022 do jetë më cilësor dhe më i sigurt
Qeveria e Kosovës premton vitin e ardhshëm një regjistrim më cilësor dhe të besueshëm të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Të martën u mbajt debati publik mbi projektligjin për censusin e vitit 2022, i shtyrë nga sivjet prej rrethanave të pandemisë.
Hekuran Murati, ministri i Punës, Financave dhe Transfertave, tha se regjistrimi do të mbushë një boshllëk të dhënash të lënë nga 2011-ta.
“Regjistrimi i Popullsisë i viti 2022 do mbuloj edhe një boshllëk me të dhënat duke krijuar kështu një bazë solide për hartimin dhe zbatimin dhe monitorimin e një game të gjerë të politikave publike të cilat do kenë ndikimin e drejtpërdrejt në mirëqenie të qytetarëve tanë,” tha Murati.
Sipas Agjencisë së Statistikave, popullsia rezidente në Kosovë fund të 2019-ës ishte rreth 1,8 milion banorë.
Zv.ministrja për Çështjet e Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilja Rexhepi, tha se nuk dihen ndryshimet që kanë ndodhur nga emigrimi apo përfaqësimi i komuniteteve minoritare.
Formularët e censusit të ri do të jenë më të zgjeruar me pyetje krahasuar me vitin 2011 për të siguruar fakte që do u vlejnë politikë-bërësve.
“Formularët janë zgjeruar pak krahasuar me vitin 2011, 9 % më shumë ka pyetje thelbësore, dhe 12 % pyetje jo thelbësore që është një ngarkesë për një regjistrim por e dini regjistrimi i popullsisë është si projekt i vetëm që bie të dhëna shumë reprezentative," tha Kastrati.
“Për realizimin e anketave të shumta për hulumtime të çështjeve të ndryshme si ai për fuqi punëtore, i standardit jetësor, i migracionit dhe të tjera që mundësojnë në vazhdimësi të nxjerrin tregues të rëndësishëm," tha Berisha.
Regjistrimi i popullsisë dhe i ekonomive shtëpiake pritet të punësojë mijëra regjistrues, mbikëqyrës dhe instruktorë në një projekt që mund t'i kushtojë qeverisë kosovare gati 12 milionë euro.
Shumë vende të Ballkanit, si Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Serbia e kanë realizuar regjistrimin e popullsive dhjetë vite më parë, ndërsa vjet u shty procesi edhe në Maqedoninë e Veriut.

