Kosovë: Në kërkim të qendrave shtesë të vaksinimit
Kërkesa për të imunizuar personat sipas komunës ku banojnë mendohet se po e vonon procesin e vaksinimit të popullsisë së Kosovës.
Për ata që punojnë dhe jetojnë në Prishtinë, si shembull, nga e hëna në të premten, autoritetet kërkojnë që nëse nuk janë banorë, të kthehen në zonën e tyre, veçse në dy ditët e fundit të javës nuk u ofrohen vaksina atyre që nuk kanë marrë ende asnjërën dozë kundër kovidit-19.
Specialistët e fushës sugjerojnë qendra të lëvizshme vaksinimi për këto raste.
“Kjo është edhe një prej pengesave të vaksinimit masiv. Nëse autoritetet synojnë vaksinim masiv atëherë duhet që ta lehtësojnë qasjen në vaksina, që ta thjeshtësojnë sa më shumë që është e mundur dhe rrjedhimisht edhe kjo pikë që të jetë mundësia e marrjes së vaksinës në qendrat të ndryshme aty ku janë qytetarët është një promovim i vaksinimit. Nëse dëshirojmë që njerëzit të vaksinohen sa më shumë atëherë do duhet që t’ju mundësohet që edhe gjatë ecjes së tyre për në punë të kenë akses në qendra të vaksinimit, ta bëjnë atë dhe të vazhdojnë për punën e tyre, sa më shumë që thjeshtëzohet dhe zgjerohet rrjeti i vend vaksinimeve aq më lehtë do jetë mandej që të arrihet ajo përqindja që po synojnë të jetë mbi 60% e popullatës së vaksinuar apo më shumë.”
“Ajo çka unë mendoj se duhet të bëhet në të ardhmen të bëjmë, atë që kanë bërë shtetet e tjera që përmes ekipeve mobile t’ua afrojmë procesin e vaksinimit qytetarëve këtë e kanë bërë shtete tjera, pra mos të jetë i lidhur procesi i vaksinimit vetëm me qendra statike, por të përdorim edhe autobus të mëdhenj apo mjete të tilla lëvizëse që ua mundësojnë vaksinimit qytetarëve aty ku jetojnë apo në afërsinë dhe me sa e di unë edhe kjo po shqyrtohet që të realizohet edhe në Kosovë.”
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se në të ardhmen mund të ketë lehtësira për të shtrirë fushatën e imunizimit.
Zëdhënësi i Ministrisë, Faik Hoti, ndërkaq i quan ankesat e qytetarëve që nuk po munden të vaksinohen, arsye për të mos e kryer një detyrë qytetare ndaj një virusi fatal për të tjerët.
“Procesi i vaksinimit është aq i liberalizuar dhe i thjesht sa është për keqardhje nëse një qytetar gjen një arsye për të mos u vaksinuar. Sot nëse dikush nuk mund të kursejë disa orë ose edhe më pak minuta për t’u vaksinuar me të vërtet do ishte dëm i madh për secilin qytetar duhet të gjej arsye për t’u vaksinuar e jo për ta bojkotuar procesin... Nuk e përjashtojmë mundësinë që në të ardhmen të kemi edhe lehtësime të tjera sepse ne po shkojmë kah rritja e numrit të atyre që po vaksinohen dhe kësisoj do të përdorim çdo instrument i cili do t’i mundësojë qytetarit qasje sa më të lehtë në vaksinim. Por sinqerisht procesi i vaksinimit në Kosovë tani për tani është i thjesht dhe mjafton vullneti dhe vetëdija për t’u vaksinuar.”
Kosova ka nisur nga data 3 gusht që të raportojë më shumë se 100 raste ditore të kovidit-19, dhe autoritetet i druhen përhapjes së variantit Delta.
Prishtina, Prizreni dhe Gjakova janë tri komunat ku vaksinimi ka ecur më shpejt.
Ditën e hënë, rreth 170 mijë banorë rezultuan plotësisht të imunizuar në gjithë vendin, ndërsa gati 500 mijë ka shkuar totali i dozave të tipit "AstraZeneca" dhe "Pfizer" që përdor Kosova.