"Hemoragjia" në PD-në e Korçës, Baçi: Dorëheqje qesharake të njerëzve që tashmë kanë ikur

Pas dorëheqjes së 13 anëtarëve të kryesisë së bashku me ish kryetarin, Andrea Mano, Partia Demokratike e Korçës nuk po gjen qetësi.

Të hënën, 9 gusht  51 anëtarë nga radhët e lidhjes demokratike të gruas, kryetarë  dhe sekretarë seksionesh kanë dhënë dorëheqjen, me argumentin se kjo forcë politike është kthyer në klienteliste dhe ekziston vetëm për interesat e Lulzim Bashës.

Analisti Agim Baçi i ftuar në studion e lajmeve të Ora News komentoi largimin e 51 drejtuesve nga Partia Demokratike në Korçë. Ai u shpreh se këto janë dorëheqje disi qesharake.

"Këto dorëheqje janë qesharake disi, pas kuvendit që janë hapur zgjedhjet për të zgjedhur kryetarët dhe sekretarët e rinj, kryetarët e grup seksioneve, kështu normalisht janë të larguar.

Është dorëheqje e një njeriu që tashmë ka ikur, megjithatë Partia Demokratike duhet t'i shikojë këto lloj pakënaqësish që ka, ku mbështeten, apo janë thjeshtë lojëra sezonale. Unë e pres që opozita të jetë në një represion më të madh nga qeveria që në mandatin e tretë. Siç ka bërë deri tani zoti Rama që të larguarit nga opozita kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Është një lloj strategjie që e ka ndjekur zoti Rama ku të ikurit nga qeveria janë të rëndësishëm, ndërkohë që denoncimet që ka bërë opozita vazhdojnë të flenë në SPAK," deklaroi Baçi.

Intervistoi Matilda Mcini