"Eksodi 1991/ Dokumenti zbulon gjendjen në bregdetin e Vlorës: Grumbullime masive, rrëmbim anijesh, ikje me çdo kusht

Edhe në Vlorë ato ditë kishte grumbullime masive.Përkujtohet sot 8 gushti 1991. Dita e eksodit të shqiptarëve me anije drejt Italisë, ku mbi 20 mijë nga porti i Durrësit ikën vetëm me anijen “Vlora” drejt Barit.

Drejtoria e përgjithshme e Arkivave publikon një dokument për të përshkruar situatën e tensionuar nga grumbullimet masive rreth bregdetit të Vlorës në pritje për ndonjë mundësie për tu larguar.

“Ka disa ditë që në rrethin tonë është krijuar  dhe vazhdon një situatë e tensionuar nga grumbullimet masive rreth bregdetrit të Vlorës, kryesisht në portet e saj: Rradhimë, Vlorë dhe Porti I ri.

Grupe njerëzish, duke pasur mes tyre dhe persona të armatosur, kanë rrëmbyer me forcë disa anije. Deri tani janë rrëmbyer mbi 8 anije. Numri i të armatosurve kalon mbi 1000 persona. Ndërkohë vazhdojnë përqëndrimet masive në pritje të ndonjë mundësie për tu larguar duke qëndruar konsekuentë dhe pa marrë parasysh dhe kushtet e rrezikshme të transportit

“Forcat e kufirit kanë ndërhyrë dhe paralajmëruar, bile dhe kanë qëlluar, por këto anije nuk kanë qëndruar. Vendosmëria e tyre nuk po thyhet” shkruhet në dokument.

Në dokument thuhet se janë rrëmbyer 8 anije.

"Anija (çisternë ushtaraka) që u rrëmbye në datën 3.3.1991 u kthye dje në mëngjes në Sazan duke lënë në Itali në një anije të huaj, personat që e kishin rrëmbyer. Dje disa punëtorë të Uzinës Pashalimanit kanë rrëmbyer një anije peshkimi dhe u larguan për në Itali"

30 vite më pas një instalacion artistik është vendosur në dy brigjet e Adriatikut, Durrës- Bari si urë lidhëse mes vendeve dhe njerëzve.