"Ballkani i hapur", aksion para ambasadës/ Aktivistët pakënaqësi ndaj Ramës përkrah presidentit Vuçiç
Aktivistë të shoqërisë civile kundërshtuan para ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë nismën e re "Ballkani i Hapur" që pason idenë e mini-Shengenit Ballkanik. Kosova thotë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i Serbisë me të shkuarën.
Kosova vijon ta kritikojë nismën e re të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një "Ballkan të Hapur" sipas modelit të një tregu rajonal pa kufij, por Prishtina e sheh si një gabim gjeostrategjik që do e afron Ballkanin Perëndimor me Lindjen, jo Bashkimin Europian.
"Organizata Lëvizja për Demokraci" mbajti të hënën një manifestim simbolik para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.
Në duar aktivistët mbajtën banera me fotografi nga krimet serbe në luftën e fundit dhe e quajtën të pakuptimtë përfshirjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në një nismë ku palë është Serbia.
"Në bazë të këtij aktiviteti kemi shprehur pakënaqësitë tona ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për lidhjet e tij me Vuçiçin, kriminelin serb që ka bërë krime në Kosovë dhe ne ja kemi prezantuar të gjitha faktet, lidhjet e tij me Millosheviçin, dhe duke kundërshtuar nismën e tij për mini-shengenin ballkanik."-shprehet Mexhid Ramosajt.
Tirana, Shkupi dhe Beogradi thonë se iniciativa e tyre është një hap drejt integrimit në BE, ndaj i mirëpresin fqinjët që kanë aspiratë të njëjtë.
Sipas Mexhid Ramosajt, kryetarit të lëvizjes që organizoi tubimin para ambasadës shqiptare, Kosova nuk mund t'i bashkohet idesë pa marrë më parë ndjesën e Serbisë për krimet në vend.
"E ardhmja jonë është me qenë kah Bashkimi Evropian dhe ShBA. Për neve është e pakuptimtë që të hyjmë në një mini-shengen ku është edhe Serbia, e cila na ka vrarë, na ka masakruar dhe ka kryer gjenocid mbi popullatën civile... Ne e kundërshtojmë edhe dialogun pa kërkuar falje Serbia ndaj Kosovës."
Tema e mini-Shengenit siç njihej më parë u trajtua edhe në parlamentin e Kosovës nga shefja e grupit parlamentar të shumicës qeverisëse, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas deputetes së Vetëvendosjes, synimi i "Ballkanit të Hapur" është të vërë në qendër Serbinë, sikundër ishte dikur Jugosllavia.
“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj , një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe.”-shprehet Kusari-Lila

