"Open Ballkan" Gashi: Shqipëria të ketë kujdes mos del kundër Kosovës, Serbia të pranojë gjenocidet

Në një intervistë për Ora News, analisti Drilon Gashi u shpreh se ka zëra që "Open Ballkan" shkon kundër edhe me nismave ekzistuese të BE-së.

Ai tha se kjo nismë ka hasur kundërshtime në spektrin politik të Kosovës, sepse duket sikur Serbia do të sundojë ekonominë dhe politikën ne rajon, duke qenë se ajo kundërshton lirinë e Kosovës.

Sipas Gashit, Serbia duhet të marrë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidet që ka bërë në rajon, pastaj të bëjë si një shtet përparimtar.

Gashi: "Open Ballkan" po jetësohet si një nismë për hapjen e Ballkanit. Ndërkohë që janë hapur zërat se një nismë e tillë shkon kundër edhe nismave ekzistuese të BE-së. Kjo nismë ka hasur kundërshtime në spektrin politik të Kosovës, sepse duket sikur Serbia do të sundojë ekonominë dhe politikën ne rajon, duke qenë se ajo kundërshton lirinë e Kosovës. Përpos Kurtit, të gjitha partitë e tjera në Kosovë janë kundër një nisme të tillë. Nga ana tjetër Vuçiç po mundohet të tregojë se është një shtet progresiv, por ne e dimë se problemet më të mëdha Serbia i ka me Kosovën dhe Bosnjën, kundër të cilave ka bërë gjenocide. Nuk mund të ulet me Shqipërinë duke thënë se ka harruar të kaluarën.

Serbia duhet të marrë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidet që ka bërë në rajon, pastaj të bëjë si një shtet përparimtar. Sigurisht edhe Shqipëria po ecën me këtë nismë edhe si një reagim kundër BE-së me vonesat e saj. Prandaj Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes që të mos dalë kundër Kosovës në këtë aspekt. Përfitime ekonomike ka nga kjo nismë për shtetet, mirëpo Shqipëria duhet të ketë kujdes, sepse kjo do të thotë një pajtim më i gjerë mes shqiptarëve e serbëve, kur ne kemi dy shtetet shqiptare të cilët duhet të merreshin vesh shumë më mirë.

Gashi shtoi se Serbia është ekonomia më e madhe në rajon dhe mund të zgjerojë hegjemoninë e saj në rajon, duke theksuar se Shqipëria e Maqedonia duhet t'i kenë bërë llogaritë që edhe ato të përfitojnë nga një nismë e tillë.

Gashi: Serbia është ekonomia më e madhe në rajon dhe mund të zgjerojë hegjemoninë e saj në rajon. Besoj se janë bërë llogari nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë që të përfitojnë edhe pse janë ekonomi më të vogla. Sigurisht që një marrëveshje e tillë mund të bëhej me shtete që janë më të barabarta ekonomikisht. Ballkani i Hapur është një gjë ndryshe në raport me dialogun dhe jë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.  Nga ana tjetër nuk kemi parë një koordinim të politikës së jashtëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.