Elbasan/ Pushimet kthehen në tragjedi, 3 vjeçari vdes në aksident, makinën e drejtonte e ëma
Një fëmijë vetëm tre vjeç humbi jetën pasi makina që drejtohej nga e ëma 38 vjeçare doli nga rruga dhe u përplas me këtë shtyllë në aksin Elbasan-Cërrik.
Gruaja mbeti e plagosur rëndë nga aksidenti tragjik që u shënua mëngjesin e së enjtes, 5 gusht pranë fshatit Bujqës.
Olsjana Maloku, e cila drejtonte mjetin tip “Ford”, dyshohet se e kishte në prehër djalin, kur një këmbësore i ka prerë rrugën.
Në këto kushte ajo ka devijuar për të shpëtuar gruan në rrugë, por ka humbur kontrollin e mjetit që u përplas me shtyllën dhe më pas përfundoi në një arë.
I mituri nuk i ka mbijetuar dot plagëve të goditjes që siç duket ka qenë e fortë.
38-vjeçarja kishte ardhur para pak ditësh për pushime në Shqipëri nga Suedia ku jeton me familjen, ndërsa është nënë edhe e dy vajzave binjake, 6-muajshe.
Ndërkohë bashkëshorti i saj do mbërrinte këtë fundjavë në Shqipëri për t’ju bashkuar familjes për pushimet verore.
Gruaja po trajtohet në Spitalin e Elbasanit, nga ku burimet thonë se është jashtë rrezikut për jetën.
Ekspertët e Policisë janë duke hetuar për shkaqet e aksidentit, por paraprakisht dyshohet se një prej shkaqeve ka qene edhe shpejtësia e lartë e lëvizjes.
105 persona, mes të cilëve disa fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në 6 muajt e parë të vitit.
Shkelja e rregullave të qarkullimit konsiderohet shkaku kryesor.
