Durrës/ Marrin banesën me qira, e përshtatin si 'laborator' heroine e kokaine, në Lunxhëri asgjësohet kanabis
Një laborator i përpunimit të kokainës dhe heroinës u zbulua në Durrës.
Apartamenti i kthyer në laborator në pamje të parë dukej i pabanueshëm pasi grillat ishin të mbyllura.
Baza e drogërave të forta ishte ngritur në një banesë të marrë me qira në lagjen numër 8 të qytetit bregdetar nga dy të rinj
Në pranga përfunduan Ergys Vogli, 33 vjeç dhe Klejton Xhaferri, 32 vjeç, ky i fundit i dënuar më parë për veprat penale "Moskallëzim krimi" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Në kuadër të operacionit “Baza” policia sekuestroi 408 gramë lëndë narkotike heroinë, 11.5 gr lëndë narkotike kokainë, e cila do të shpërndahej në qytetin bregdetar, gjatë sezonit turistik.
Po ashtu blutë sekuestruan një 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi parash të përfituara nga kjo veprimtari e kriminale.
Prokuroria e Durrësit thotë se ka nisur hetime për të zbuluar edhe persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në laboratorin e drogërave të forta.
Ndërkohë në qarkun e Gjirokastrës policia goditi dy raste të kultivimit të bimëve narkotike.
Një parcelë me rreth 1 mijë bimë kanabis sativa u zbulua në një zonë të pyllëzuar në Lunxhëri.
Agim Piperi, Teki Mino, Edmond Këmbaci dhe Luan Bërxha janë arrestuar në flagrancë.
Policia thotë se kishte marrë informacion për parcelën, por kujtojmë që ditët e fundit në zonë prezenca e bluve u shtua ndjeshëm edhe për shkak të situatës me zjarret.
Ndërsa në Tepelenë u prangos një 62 vjeçar i cili kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës.
