Vincent Kompany: Anderlechti nuk është nën presion, asnjë nënvlerësim për Laçin

 

Nesër në "Elbasan Arena", Laçit do t'i kërkohet një tjetër mrekulli në Conference League dhe përballë do të ketë një emër të madh si Anderlecht, një shkallë akoma më lart se rumunët e Craiovas.

Klubi belg drejtohet nga një emër i madh i futbollit vendas, ish mbrojtësi dhe kapiteni i Man. City, Vincent Komoany i cili në fakt pati disa probleme për të ardhur këtu për shkak të liçencës pro të trajnerit, por ai sqaroi gjithcka në konferencën për shtyp, ku foli edhe për Laçin.

"Laçit i kam parë 2-3 ndeshjet e fundit për të kuptuar mënyrën sesi luani. Kam parë që lojën e tyre e bazojnë në një mbrojtje shumë të fortë dhe besoj se nuk do ta kemi të thjeshtë, sepse kanë treguar në disa ndeshje që nuk është e thjeshtë t’i shënosh gol. Megjithatë ne do të marrim masat e nevojshme dhe urojmë që të bëjmë mirë. Mendoj se ata janë me meritë deri këtu".

Lidhur me zërat dhe problemet me liçencën dhe presionin për shkak të rezultateve të dobëta në kampionat, Kompany tha se është i vetëdijshém për atë që po bën ekipi dhe se lojtarët nuk janë në presion të madh për këto dy ndeshje.

"Nuk e kemi nisur mirë kampionatin por nuk e ndjej veten nën presion. Ne kemi ardhur në Shqipëri për të fituar dhe besoj që do t’ja dalim mbanë dhe pse llogaritë do të bëhen në përfundim, pas ndeshjes së kësaj të enjteje dhe asaj të javës së ardhshme. Lidhur me liçencën, e gjithë kjo është thjesht një burokraci nuk besoj se është një çështje por gjithsesi e rëndësishme është që unë jam pranë ekipit dhe dëshirojmë të bëjmë mirë", u shpreh trajneri i Anderlecht.