Christian Eriksen ndodhet në Milano, plani i Interit dhe kur mund të rikthehet në fushë
Interi është në qendër të lajmeve të rëndësishme të merkatos, ku sulmi i Chelsea për të marrë Lukakun ka zënë faqet e para të gazetave dhe nga ana tjetër është Christian Eriksen.
Mesfushori danez është rikthyer për herë të parë në Milano që pas asaj ngjarjeje të tmerrshme që i ndodhi në Euro 2020, në "Parken Stadion" ku pothuajse u konsiderua i vdekur dhe vetëm një mrekulli dhe ndihma e shpejtë e shpetuan.
29-vjecari fillimisht ka takuar drejtuesit zikaltër në "Appiano Gentile" dhe më pas të gjithë shokët e skuadrës bashkë me trajnerin e ri Inzaghi.
Ndërkohë, Eriksen do të përsërisë të gjitha testet e zemrës që kishte kryer në Kopenhagen pas arrestit kardiak në fushë gjatë sfidës Danimarkë-Finlandë.
Synimi është të arrihet të kuptohet nëse miokarditi që kaloi ishte i një natyre infektive. Në këtë rast, mund bëhet fjalë që të hiqet defibrilatori nën lëkurë që iu vendos në operacionin e 17 qershorit, dhe pastaj të shpresohet që të rikthehet për të luajtur futboll në Itali duke marrë dritën jeshile nga një komision mjekësor. Në çdo rast, bëhet fjalë për kohë të gjata për t'u rikthyer, afro rreth 7 muaj.
Ndërkaq FIFA garanton mbulimin e pagave deri në 7.5 milionë euro bruto për një maksimum prej 365 ditësh pasivitet dhe Interi ka vendosur një policë sigurimi për vlerën e kartonit të lojtarit, e cila mbulon pothuajse tërësisht, afërsisht 18 milionë euro me të cilat danezi akoma peshon në buxhetin e zikaltërve
