Një familje e tërë e sëmurë, "peng" i pashaportizimit në Tiranë

Sheqere Gega, 38-vjeçarja nga Fshati Rinas i Librazhdit vuan nga hemodializa.

Trajtohet me dializë prej 13 vitesh dhe shëndeti i saj nuk ka qenë aspak i mirë, pasi vuan nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.

“Mamin e kam të paralizuar, babain të sëmurë, vëllain pa duar” tregon ajo ndërsa kërkoi ndihmë nga Ora News për të zgjidhur problemin e saj

Gjendja e saj që përkeqësohet dita-ditës e kanë detyruar të zhvendoset me vendbanim në banesat sociale në Shkozë.

Me argumentin se është zhvendosur si rast emergjent, njësia 1 në Tiranë nuk e konfirmon vendodhjen e saj së bashku me 9 pjesëtarët e saj dhe kjo i ka sjellë mjaft sorollatje.

Për shkak të pashaportizimeve që i ka në Librazhd ajo për të përfituar ilaçet me rimbursim i duhej të shkojë në Elbasan, çka është shumë e vështirë për shkak të pamundësive ekonomike e shëndetësore.

Me të ëmën e të atin e sëmurë dhe vëllain invalid, Sheqerja shpreson në zgjidhjen e këtij problemi që rëndon më shumë duke marrë parasysh shëndetin e rrethanat e vështira të jetesës.