"Hapni jugun!"Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë zgjatje të orarit të muzikës dhe shërbimit
Pronarë baresh e lokalesh në zonën e Lungomares në Vlorë i kërkuan drejtuesve të policise zgjatjen e orarit të muzikës dhe shërbimit ndaj pushuesve. Ata thanë se jugu ashtu si të gjitha vendet turistike në rajon duhet të hapet, pasi turistët po largohen.
Sipërmarrësit që administrojnë bare dhe lokale gjatë shëtitores së Lungomares në Vlorë kanë pasur një takim me shefin e komisariatit Vlorë.
Arsyet e këtij takimi mbeten po të njëjtat, orari i muzikës të shtyhet deri në mesnatë dhe bizneset të qëndrojnë hapur deri në 2 të mëngjesit të ditës pasardhëse.
Sipas përfaqësuesit, Ervin Sota, bizneset do të mblidhen e do të vendosin më pas rreth masave që mund të marrin.
Sipas tij dy pikat kryesore mbeten të panegociueshme, pasi nuk mund të dëbojnë klientët në orën 24:00.
Veç kësaj, vendet e rajonit dhe shtete të tjera turistike janë hapur, thotë Sota.
"Na kanë dhënë shpresa që kjo gjë shumë shpejt do të ndodhë. E ndjejmë të nevojshme këtë periudhë, ka një fluks të madh turistësh. Të shtyhet orari i punës të paktën deri në 2. Duke parë që edhe vendet e rajonit por edhe Turqia janë të hapura gjatë kësaj kohe kërkojmë që mos të na ikë ky fluks turistësh nga Vlora dhe mos të detyrohemi tu themi turistëve mos hajdeni në Vlorë por shkoni në Prishtinë. Kemi mbledhje pas këtij takimi për vazhdimin e kërkesave dhe reagimin tonë për shtyrjen e muzikës në 24 dhe të orarit të punës në 2. Sot jemi thirrur nga shefi i komisariatit".
Pak ditë më parë bizneset përgjatë shëtitores qëndruan të mbyllura për 24 orë, në një protestë masive kundër masave të qeverisë.
Ata kundërshtuan dhe praninë e forcave policore në bregun e populluar nga turistë.
Në jug të vendit ka pasur përplasje mes sipërmarrësve dhe policisë, ndërsa ora policore nuk ka ndryshuar siç ata kërkojnë.

