Rama i jep truallin e Teatrit Veliajt, avokatja Kalaja: Atentat ndaj Kushtetutës, është marrë peng drejtësia
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron një atentat ndaj Kushtetutës VKM e 30 korrikut për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Në një dalje për mediat, avokatja Adriana Kalaja tha se në të njëjtën ditë që një vit më parë u ndryshua Kushtetuta, dje një vitë pas u vra kjo Kushtetutë.
Kalaja: E konsideroj ditën e djeshme si atentat të pastër ndaj Kushtetutës. Disa njerëz që drejtojnë këtë vend kanë marrë peng institucionet, drejtësinë, Shqipërinë. Nga dje dhe sot i kam bërë pyetje vetes nga më të ndryshme dhe ato që nuk u jap dot përgjigje është se kush do ta ndalë këtë katastrofë në sistemin e drejtësisë sepse vetëm reformë në drejtësi kjo nuk është. Nëse do të kthehemi pas në retrospektivë, qëllimisht është zgjedhur data 30 korrik sepse vjet në këtë kohë e njëjta bandë që drejton Shqipërinë, nëse nuk e keni harruar se kjo është fatekqësia jonë, ne harrojmë shpejt, kemi filluar të harrojmë veprat kriminale dhe penale që po bën ky shtet. Vjet u ndryshua Kushtetuta, dje po në të njëjtën ditë, u vra Kushtetuta. Të mos ekzekutosh një vendim të Gjykatës Kushtetuese është të vrasësh Kushtetutën dhe këtë e bën Edi Rama, Erion Veliaj, Erjon Braçe dhe gjithë Braçet rilindas. Do të vazhdojmë ne më të mos reagojmë ndaj këtyre veprave penale dhe kriminale? A u bindët se kjo toka këtu mbrapa, që ata e quajnë truall, është prona e Teatrit Kombëtar dhe ata nuk kanë vetëm qëllimin për të ndërtuar kullat por është qëllimi për të fshirë kujtesën, duhet të harrohet fjala Teatri Kombëtar dhe prandaj ata nxjerrin një VKM antiligjore, antikushtetuese.
Kalaja kërkoi nga SPAK të vihet në lëvizje për këtë çështje.
Kalaja: E quajnë thjesht truall por ne nuk harrojmë që këtu me 16 maj kanë qenë vlerat e trashëgimisë kulturore, vlerat e identitetit shqiptar, vlerat e historisë tonë. Kjo po arrihet falë pushtetit rilindas. Kush do ta ndalojë këtë të çmendur Kryeministër që nesër të fillojë të bëjë transferimin e të gjithë pronave shtetërore te miqtë e tij brenda dhe jashtë vendit, e ndalojmë dot, e ndalojnë dot vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Koha po tregon që nuk e ndalon dot. Në këto kushte në emrin tim dhe gjithë Aleancës që vazhdon protestën në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe identiteti shqiptar i kërkoj SPAK marrjen e masave emergjente. Vetëm SPAK është ai që duhet të vërë drejtësi përsa kohë që vetë institucionet shqiptare nuk pranojnë të zbatojnë një vendim gjykate.
E nëse drejtësinë nuk do ta gjejnë brenda vendit, Kalaja paralajmëroi se Aleanca do ti drejtohet drejtësisë ndërkombëtare, por kjo sipas saj do të ishte një turp i madh për reformën në drejtësi dhe gjithë investimin e bërë në të.
Kalaja: Të hënën e në vijim do t'ju njoftojmë mbi të gjithë hapat tonë ligjorë por nëse ne nuk kemi reagim nga institucionet shqiptare normalisht që do ti drejtohemi institucioneve ndërkombëtare. Por është turp për reformën në drejtësi, është turp për të gjithë këtë propagandë që bëhet, që drejtësinë për Teatrin ta gjejmë në institucionet ndërkombëtare. Ne do të luftojmë dhe drejtësinë për Teatrin do ta rivëmë dhe Teatrin do të ringrejmë aty dhe ashtu siç ishte.
