Pesë vite nga reforma në drejtësi/ Braho: Politika ndikon në sistemin e drejtësisë dhe tek Vettingu
I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, avokati Ledio Braho, ka komentuar reformën në drejtësi , e cila pak ditë më parë bëri 5 vite që nga dita kur u krijua.
Braho është shprehur se Shqipëria kishte nevojë për këtë reformë, ndërkohë ka shtuar se duhet bërë një sondazh tek qytetarët për të parë nëse pas 5 vitesh ka ndryshuar sistemi i drejtësisë apo jo.
Më tej ai thekson se janë krijuar disa institucione të drejtësisë, sakaq thotë se kjo drejtësi nuk është bërë e ‘prekshme’ për qytetarët.
"Duhet të kthehemi në gjenezë, tek arsyeja se përse u iniciua Reforma në drejtësi, pse konsiderohet Reforma më e madhe gjatë këtyre 30 viteve dhe kush ishte qëllimi.
Në prezantimin e 5 vjetorit të Reformës në Drejtësi, Yuri Kim, citoi se përpara se të iniciohej “Reforma në Drejtësi”, të gjithë sondazhet që bëheshin 90% e shqiptarëve ishin pro një Reforme në Drejtësi. E vërteta është se Shqipëria, kishte realisht nevojë për një reformë në drejtësi, por ajo që duhet të bëhet sot është të ribëhet një sondazh dhe të shihet a ka ndryshuar mendimi I publikut në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri apo jo.
Në fakt ka pasur plot ndryshime, institucionet e reja të drejtësisë, KLGJ, KLP, SPAK, që të gjitha morën më shumë kohë sesa pritej për t’u organizuar. Një pjesë e tyre tashmë sapo janë kthyer në institucione funksionale, një pjesë e tyre janë ende me vakanca. Por përveç kësaj edhe Ministrja e Drejtësisë sot fliste për Refomën në kuptimin statistikor që janë ndryshuar nenet. Në fakt nuk është arritje të ndryshosh ligje, nuk është arritje të ngresh organizma të reja, arritje do ishte që perceptimi i publikut të ishte tjetër sot.
Pavarësisht gjithë ndryshimeve që ka sjellë Reforma në Drejtësi , i vetmi ndryshim është shkarkimi I një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh që ka të bëjë vetëm me procesin e Vettingut. Reforma në Drejtësi nuk është bërë ende e prekshme. Nuk është ajo drejtësi që u promovua se do të ishte pas reformës në drejtësi. Është e vërtetë se ka një plan që shkon deri në 15 vite, por sot qytetarët ende nuk e kanë drejtësinë, madje mund të themi që përveç asaj hakmarrjes personale që gjithsecili ka ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që deri diku është arritur, por përveç kësaj, procesi i Vettingut nuk ka qenë kaq i paanshëm dhe i pavarur sa duhet të ishte."
Sipas tij, politika ndikon ende në sistemin e drejtësisë, teksa shprehet se ajo ndikon edhe në procesin e Vettingut.
"Po të vëmë re rastet e fundit ku ka ndërhyrë edhe vetë ambasadorja e Amerikës, tregon se ka pasur një lloj shqiptarizimi të mënyrës se si duhet zbatuar edhe Vettingu në vetvete. Ndaj dhe Vettingu nuk mund të themi se është një sukses absolut. Reforma në drejtësi I përket gjithë shqiptarëve, por problem është se Reforma u politizua deri diku. Dhe ajo që nuk mund të themi sot është fakti se këta gjyqtarë dhe prokurorë që e kanë kaluar Vettingun apo ata që janë shkarkuar kanë qenë tërësisht tej paanshmërisë politike, të një vullneti partie politike. Politika ndikon ende në sistemin e drejtësisë, në procesin e Vettingut. Është e rëndësishme për t’u drejtuar edhe fakti se kush e drejton, kush është pjesë e organeve të reja të drejtësisë."
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.

