Kapen duke gërryer shtratin e lumit Mat
Gërryerja e shtratit të lumenjve pa leje dhe në kundërshtim me rregullat e shfrytëzimit teknik është një problem shqetësues në Shqipëri.
Një rast i shfrytëzimit në mënyrë të paligjshme të lumit Mat është ndalur me arrestimin e pronarit të eskavatorit dhe 2 drejtuesve të kamionëve.
Policia kishte marrë informacion për disa persona që gërryenin shtratin e lumit Mat, duke marrë zhavorr dhe inerte në mënyrë të paligjshme dhe ushtruan kontrolle përgjatë shtratit të lumit.
Gjithashtu, procedohet penalisht inspektori për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për shpërdorim detyre.
Bllokohen mjetet e rënda ekskavatorë që shërbenin për të gërryer shtratin e lumit Mat, 2 kamionë me inerte dhe një automjet.
Gjatë kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.
Gjithashtu u kapën dhe u proceduan penalisht shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç dhe D. Z., banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve pa dokumentacionin përkatës, të cilët u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.
Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. U., 54 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat.
