Gara në sy të policisë me 225 km/orë, gjobiten drejtuesit e Lamborghinit dhe BMW-së në Fier-Vlorë

Dy shtetas nga Kosova u gjobitën rëndë nga policia shqiptare pasi u konstatuan se po bënin gara me makina luksoze në rrugën Fier-Vlorë. Policia tha se pas konstatimit të lëvizjes me shpejtësi 225 kilometër në orë, dy drejtuesit e mjeteve nuk iu bindën postbllokut të rrugores. Për këtë arsye mjetet janë ndaluar në hyrje të Vlorës ndërsa dy drejtuesit janë ndëshkuar përkatësisht me 168 dhe 120 mijë lekë të reja gjobë.

Dy shtetas nga Kosova u ndëshkuan me gjoba të konsiderueshme nga policia rrugore pasi po kryenin gara me automjetet e tyre në rrugën Fier-Vlorë.

Burimet zyrtare thanë se ngjarja ka ndodhur në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur "Pojan", ku shërbimet e policisë kanë konstatuar nga radari automjetet me targa zvicerane tip "Lamborghini" dhe "BMW" duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h.

Në njoftimin e policisë thuhet se automjeteve u është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës.

Menjëherë pas këtij momenti janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme "Shqiponja" dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.

Të dy drejtuesit e makinave luksoze sipas policisë janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip "Lamborghini", me iniciale I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative  68.000 lekë për shkeljet administrative "Tejkalim i shpejtësisë", "Garë shpejtësie", "Qarkullon pa targë", "Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë" dhe drejtuesi i mjetit tip "BMW" shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative "Tejkalim i shpejtësisë", "Garë shpejtësie".

Policia ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit pasi në çdo aks rrugor të vendit janë vendosur radarë.