Haxhiu: Kurbani, shenjë e devotshmërisë dhe sinqeritetit që individi ka ndaj Zotit

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Erjol Haxhiu, zv.myftiu i Tiranës, shprehet se festa e Kurban Bajramit, ka një traditë të hershme dhe historia e saj sipas tij ka nisur që prej kohës së Profetit Muhamed.

Sipas tij, Kurbani është shenjë sinqeriteti dhe devotshmërie e sinqeritetit që individi ka ndaj Zotit, teksa shton se festa e Kurban Bajramit është shenjë e devotshmërisë.

"Festa e Kurban Bajramit është një festë që ka traditë shumë të hershme dhe historia e saj bazon te sakrifica që babai profet dhe djali i tij kanë bërë.

Ibrahimi shikon në ëndërr sikur po bën kurban të birin, dhe ëndrrat e profetit janë shpallje hyjnore dhe ja tregon ëndrrën të birin dhe i biri, pranon bindet dhe i thotë që të bëjë atë që i është urdhëruar. Dhe kur shkojnë të dy për ta kryer këtë akt, Zoti i drejtësisë i drejtohet Ibrahimit dhe i thotë, o Ibrahim ti realizove urdhërin.

Si shenjë e sakrificës së këtyre dy njerëzve të mirë, si shenjë e devotshmërisë që kanë pasur ndaj Zotit është bërë festa e Kurban Bajramit. Kurbani është shenjë sinqeriteti dhe devotshmërie që individi ka ndaj Zotit. Në njëfarë mënyre, besimtari tregon se është i gatshëm që të sakrifikojë pjesë nga pasuria e tij, për t’u ofruar me Zotin, dhe me njerëzit, vetë Kurban do të thotë afrimitet.

Kur bëhet Kurban, një pjesë mbahet në shtëpi për të festuar me familjarët, një pjesë për të afërmit dhe një pjesë për personat e varfër. Këto janë ditë, kur besimtarët duhet të përmendin shumë Zotin sepse janë ditët e mirësive. Një nga veçoritë e Kurbanit është kur gëzojnë të gjithë. Besimtarët në këtë kohë i shpeshtojnë vizitat, qoftë te njerëzit e sëmurë, qoftë te njerëzit të cilët janë në gjendje të vështirë ekonomike, sepse afrimiteti me ta na bashkon me Zotin dhe me kënaqësinë e tij. "

Intervistoi Sonila Musai, përgatiti për online Anila Kolgjini.