Procesi ndaj Tahirit, gjykata e lartë korrigjon shortin, kryesues do të jetë Ilir Panda
Gjykata e Lartë ka korigjuar shortin për dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri. Ky i fundit do të gjykohet nga një trupë e drejtuar prej ish-ministrit të drejtësisë Ilir Panda, ndërkohë që procedura e gabuar e shortit kishte zgjedhur si gjyqtar Sandër Simonin. Në të njëjtin proces gjykohet edhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela i akuzuar. Dy zyrtarët janë akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me mosveprimin e tyre ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në disa zona të vendit.
Ish nënkryetari i KLD-së Ilir Panda, njëherësh edhe ish ministër i Drejtësisë në vitet 1999-2000 do të jetë kryesuesi i trupës gjykuese në gjykatën e lartë ndaj Saimir Tahirit.
Dosja penale në ngarkim të ish-ministrit të brendshëm ishte hedhur gabimisht në short duke përcaktuar si kryesues gjyqtarin Sandër Simoni.
Megjithatë pas korrigjimit të procedurës, mësohet se Saimir Tahiri do të gjykohet nga Ilir Panda relator dhe Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe anëtar.
Përveç kësaj dosje shorti ka qenë i gabuar edhe për 42 çështje të tjera pasi në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese që ka shqyrtuar fashikullin në dhomë këshillimi duhet të vazhdojë edhe procesin në gjykatën e lartë.
Shorti i hedhur gabimisht kishte përcaktuar Sandër Simonin si kryesues të seancës.
Pas ndryshimeve ligjore që hynë në fuqi më 1 Qershor shorti i dosjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela është anuluar.
Ndërkohë në Gjykatën e Lartë ende nuk ka asnjë datë se kur do të nis procesi gjyqësor në fjalë.
Ish kryepolici i Vlorës Jaeld Çela një ditë më parë i ka kërkuar gjykatës së posaçme shuarjen e afateve të paraburgimit pasi që nga koha kur është dhënë vendimi i Gjykatës së posaçme të Apelit, ka kaluar më shumë se një vit.
Po ashtu Çela ka kërkuar edhe ndryshim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë më të butë.
Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela u deklaruan fajtorë për veprën penale të "Shpërdorimit të Detyrës".
Ish-ministri u dënua me 3 vite shërbim prove ndërsa ish kreu i policisë së Vlorës me 3 vite e 4 muaj heqje lirie.
