Bizneset në Vlorë nuk e ndalin protestën: Lejimi i muzikës të shtyhet deri në orën 2
Pak orë pas vendimit të Komitetit Teknik që miratonte vetëm vendimin e kryeministrit Rama për të shtyrë me 1 orë ndalimin e muzikës, në kuadër të masave anti-covid, përfaqësuesit e bizneseve në Vlorë kanë dalë sërish në protestë.
Për ta zgjatja me një orë e muzikës nuk përmbush asgjë.
Në ditën e dytë të protestave ata përsëritën kërkesat e tyre që të ndryshohet orari kufizues dhe baret dhe restorantet të shërbejnë deri në orën 2 të mëngjesit dhe të lejohet një muzikë në sfond.
''Nuk po flitet më për muzikën e lartë, por për një fashë orari që baret të jenë të hapura dhe t ëken një muzikë në sfond.''
Për bizneset shqetësim janë edhe shfaqjet e policisë.
''Kërkojmë një bashkëpunim me policinë dhe operatorët. Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë qoftë edhe me telefon, por duhen shmangur furgonat e policisë duke tmerruar pushuesit.''
Marshimi përgjatë shëtitores me dritat e celularëve ndezur përmbylli protestën e biznesit mbrëmjen e së hënës në Vlorë.
