Pas tërheqjes së ujit nis pastrimi i rrugëve nga balta dhe mbeturinat, 183 të vdekur nga përmbytjet në Europë

Gjermania dhe belgjika kanë raportuar rritjen e numrit të viktimave si pasojë e përmbytjeve që përfshinë dy vendet ditët e fundit nga mot i keq. Kancelarja gjermane pritet të vizitojë zonat e prekura ndërkohë që autoritetet flasin pqër të paktën 156 viktima. Ndërkaq në Belgjikë ushtria po ndërhyn për shpëtimin e banorëve të përmbytur edhe pse bilanci prej 27 viktimash dyshohet të jetë më i madh.

Autoritetet gjermane dhe belge kanë përditësuar bilancin e përmbytjeve që goditën dy vendet ditët e fundit duke shkaktuar humbje jetësh dhe dëme të mëdha materiale.

Deri më tani, në Gjermani janë shënuar të paktën 156 viktima ndërkohë në Belgjikë raportohet për 27 të vdekur edhe pse numri i viktimave mund të rritet. Ndërsa ujërat tërhiqen, krahas ekipeve të emergjencës, edhe vetë banorët kanë nisur pastrimin e lagjeve nga balta dhe inertet.

Në Gjermani zonat më të prekura janë Rhine-Westphalia të Veriut, Rhineland-Palatinate dhe Saarland.

Mijëra persona janë raportuar të zhdukur gjatë kulmit të përmbytjeve. Edhe në zonën e Bavarisë së Epërme vijojnë kërkimet, ku rrebeshet kanë zhytur rruge të tëra dhe bodrume.

Ndërkohë e rëndë është dhe gjendja në Belgjikë. Ushtria është dërguar në katër nga 10 provincat e vendit më të prekura për të ndihmuar në shpëtimin dhe evakuimet.

E ngjashme situata paraqitet në Holandë e Luksemburg, ku shumë banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë. Përmbytjet kanë goditur dhe shtetet e Zvicrës, Austrisë, dhe Republikën Çeke.

“Shirat dhe stuhitë fatkeqësisht po shkaktojnë dëme të rënda në Austri”, tha kancelari Sebastian Kurz ndërsa në Gjermani vetë zonja Merkel do të vizitojë fshatin Schuld, i përshkruar si një "zonë lufte” nga një banorët.

Banorët e përmbytur po vuajnë mungesën e energjisë elekrike dhe të linjave të komunikimit.

Ndërkaq, shërbimet e trenit ndërmjet Gjermanisë dhe Republikës Çeke janë pezulluar për shkak të problemeve teknike “të shkaktuara nga kushtet e motit”.

Zyrtarët thanë se linjat hekurudhore do të rinisin punën pas 18 korrikut.