Parashikimet për turizmin, Çoçoli: Shpresojmë të kemi një verë më të mirë se vjet por kurrësesi si e 2019
Kjo verë duket më optimiste për sektorin e turizmit. Heqja e masave anti-Covid brenda vendit por rihapja e udhëtimeve me jashtë kanë rritur numrin e rezervimeve.
Gazetari i ekonomisë, Fatos Çoçoli, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, thotë se ky sektor ka shenja pozitive rimëkëmbjeje këtë vit.
Megjithatë, vijon Çoçoli, shpresat janë për një sezon më të mirë sesa vjet por kurrësesi në nivelet e verës 2019, që mbahet si viti më i artë i turizmit në 20 vitet fundit.
Çoçoli: Ka shenja rimëkëmbje, është pak më mirë se vitin e kaluar për disa arsye. Të gjithë ne që jetojmë brenda vendit tonë nga mbyllja e gjatë sikur kemi dëshirë që një orë e më parë të kalojmë pushimet, edhe shpikim pushime në fundjavë në bregdet. Prenotimet janë shtuar dhe pranë operatorëve turistikë ekziston një optimizëm i moderuar. Fundi i greminës kaloi dhe tani po fillojmë të ngrihemi ngadalë.
Ne mund të kemi një fluks të mirë nga kosovarët që kurrë nuk na kanë lënë në baltë. Edhe vitin e kaluar nga turizmi patriotik i sivllezërve tanë në Kosovë apo edhe nga Maqedonia e Veriut… Por a është e mjaftueshme kjo? Flasim për 1.2 miliardë euro të marra më pak gjatë vitit të kaluar, një bilanc i trishtueshëm.
Përpjekjet e qeverisë kanë qenë pothuajse zero, nuk ka pasur një paketë si në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi për sektorin më të dëmtuar që është ai i turizmit. Shpresojmë të kemi ngritje në krahasim me verën e kaluar por kurrësesi nuk do të arrijmë të kapim verën e 2019 që ishte periudha më e mirë për turizmin që kemi pasur në 20 vitet e fundit.
Të ardhurat nga turizmi përbëjnë rreth 13-14% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Konkretisht janë 2.7-2.8 miliard euro në vit, rreth 1/4 e Prodhimit tonë kombëtar.