Prokurorë në trafik, Maksim Sota akuzon: U hoq qëllimisht emri pasi kaloi vettingun
“Një tjetër prokuror që ka kaluar Vettingun është në sistem dhe u ngrit në detyrë është përfshirë në trafikun e drogës”.
Këtë e ka bërë me dije Maksim Sota, prokurori i akuzuar për shpërdorim detyre në dosjen SPAK, për trafikun ndërkombëtarë të operacionit të 2 korrikut.
Ne arrest shtëpie është lënë prokurori i Vlorës Maksim Sota, i cili në seancën e së dielës para Gjykatës ka paraqitur argumentet e tij duke rrëzuar akuzat në dosjen e prokurorisë ndërsa kërkoi thellim të hetimeve.
Ajo që ka zbuluar prokurori në seancë është fakti se në dosjen e SPAK, nuk janë përfshirë emra të tjerë të drejtësisë së implikuar në këtë afer të cilët janë pjesë e sistemit.
Sota tha se ndër ta është edhe një prokuror, i cili ka pushuar çështjen ndaj trafikantëve në këmbim të parave, ka kaluar vettingun dhe është ngritur në detyrë.
“Janë përmendur prokurore me emra dhe nuk janë në dosje. Janë përmendur prokurorë të SPAK, që kanë pushuar çështje, kanë marrë dhe lekë”.
Prokurori Maksim Sota nën akuzë për shpërdorim detyre nuk përmendi emra në seancë, ndërsa më herët SPAK, nuk ka dhënë informacion nëse ka të tjerë të përfshirë.
Shefi i antimafies në deklaratën e shtypit të 2 korrikut, foli për një rrjet më të gjerë të të implikuarve.
Gjatë mbrojtjes së tij në GJKKO, Sota vlerësoi se veç dëshmive të të penduarve, nuk ka asnjë provë tjetër që e lidh atë me trafikantët, akuzë të cilën e mohoi, ndërsa ironizoi dhe hetimet e SPAK duke thënë se niveli i provës është shumë herë më i ulët se standardi minimal dhe në këtë mënyrë duhen të merren në përgjegjësi penale më tepër se 2/3 e të gjithë shqiptarëve. Sipas dosjes, Sota kishte dijeni dhe bisedonte me personat e përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Përballë këtyre akuzave , prokurori tha se nuk ka pasur asnjë lidhje. Edhe akuza se qëndronte me qira ne shtëpinë e Ducollarit, Sota tha se këtu s’ka asnjë provë, pasi vete ai nuk kishte arsye të shkonte në apartament tjetër, kur kishte atë të vëllait në qytetin e Vlorës, ku u shpreh se qëndronte sa here qe e konsideronte të nevojshme.
“E para ka një ndryshim të madh midis fjalëve “lidhje” dhe “njohje” midis dy apo disa personave; në rast ekziston një lidhje, atëherë ka marrëdhënie reciproke në mënyra dhe forma të ndryshme midis këtyre personave, të cilat normalisht duhet të evidentoheshin në vendimin e gjykatës; Në rast se flasim për “njohje” midis dy apo disa personave, ka një ndryshim të rrënjësor me rastin e një lidhje midis tyre. Lidhur me pretendimin e përdorimit/qëndrimit tim në një banese të paguar nga personat nën hetim deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se ky fakt është tërësisht i pavërtetë. Unë kam banuar në shtëpinë e vëllait tim, nëse ata kanë pasur lidhje me të… Deklaroj me përgjegjësi se këtë shtetas e kam takuar rrallë dhe jo vetëm për vetëm, për shkak se nuk kisha njohje të drejtëpërdrejtë me të, në një ambjent Lokal Bar Kafe e quajtur Kei Kafe në qytetin e Vlorës, të cilin e kam frekuentuar për të pirë kafe me shokët të mi,”– ka deklaruar ndër të tjera prokurori i Vlorës.
