"Ndezi bombolën për të bërë kafe…", i afërmi i familjes në Velipojë: Pashë tym, kur erdha i gjeta në pishinë
Një kafe për mëngjes për të nisur ditën ka përfunduar në mënyrë dramatike për katër anëtarët e familjes Gjoka në Velipojë, të cilët mbetën të plagosur rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit.
Zef Zefi, i cili ka lidhje familjare me të plagosurit, tregon se kishte dalë me blerë bukën në mëngjes dhe ndërsa kthehej ka dëgjuar shpërthimin.
Më pas, vijon ai, kur iu afrua hotelit pa të dilte tym.
Ai thotë se gjendja shëndetësore e tyre është e rëndë pasi kanë djegie të mëdha në trup.
"Dola të blej bukë dhe kur erdha rrugës e dëgjova shpërthimin, kur erdha shoh tymin. Kur vi këtu i gjej të gjithë në pishinë, e kam mik, vëllai i gruas. Më tregoi gruaja, janë ngrit në mëngjes si çdo ditë, ka marrë me pjek kafen në një bombol gazi të vogël dhe sa e ka ndezur ka shpërthyer. Këto bombolat e vogla, si duket ka pasur rrjedhje.
Gjendja e të plagosurve është shumë e rëndë, sa i nisëm me helikopter. Kanë djegie komplet. Them se u ka bërë mirë uji por dikush thotë se nuk u ka bërë mirë se u ka hequr lëkurën. Ishalla u ka bërë mirë uji. Kishin ardhur mbrëmë.Burrin e ka në Itali nusja e mikut. Kishin ardhur me pastru hotelin me fillu sezonin. Kanë pastru mbrëmë, në mëngjes janë ngritur me bë një kafe".
