Mjerimi në familjen Karaj, fëmijët me epilepsi nuk kurohen, prindërit pa mundësi financiare
Një familje me 7 anëtarë në Baldushk të Tiranës jeton në skamje prej vitesh. Ndihma prej 5 mijë lekësh nuk i mjafton as për ushqim. Kryefamiljarja thotë se shpesh fëmijët e saj flenë pa ngrënë, ndërsa peng për të janë të sëmurët nga epilepsia, të cilët nuk ka para për ti kuruar.
Familja e Shkëlqim Karajt me 7 anëtarë jetojnë me 5 mijë lekë në muaj.
Në një shtëpi ku pothuajse gjithçka mungon, Vjollca, gruaja e Shkëlqimit thotë se nuk ka me çfarë të sigurojë jetesën.
"Nuk kemi të ardhura fare, me sakrifica."
Edhe pse e sëmurë, për të fituar sadopak para del dhe punon në bujqësi.
Me të ardhurat që merr blen bukë për fëmijët, nga të cilët më i vogli është vetëm një vit e gjysmë.
"Dal ndonjëherë, më marrin për gjynah. Me zor punoj, kush të ketë ndonjë misër për të prashitur".
Nëna e 5 fëmijëve thotë se deri para dy vitesh mbështetje kishte dhe KEMP-in e bashkëshortit të sëmurë.
"Burri merrte KEMP, ja kanë ndërprerë."
Në varfëri dhe sëmundje jetojnë dhe dy fëmijët e saj që vuajnë nga epilepsia.
Ata nuk kurohen pasi nuk kanë para për mjekët.
"Nuk i marr dot ilaçet, me zor blej një thes miell."
Ushqimi më i mirë që ajo u kishte gatuar fëmijëve ishte grosha.
Ndërsa shpesh fëmijët e saj flenë edhe pa ngrënë.
"Ne nuk e kemi ngopur ndonjëherë barkun me bukë."
42-vjeçarja apelon për ndihmë dhe shpreson që përmes medias dikush ta përkrahë dhe ta ndihmojë që të kalojë këtë sprovë të vështirë.
"Shteti nuk pyet për mua, njeri nuk njoh që të shkoj në bashki. Ne jemi të varfër, e vetme nuk kam çfarë bëj, burrin e kam gjysmë robi."

