Reagon nga burgu, Jurdi Bedinaj: S’jam bërë i penduar, u dënova me 14 vite se më përmendi Lazaj
Jurdi Bedinaj, njëri nga personat e arrestuar për trafik droge në çështjen penale ku bashkëpuntor i drejtësisë, ka qenë Aurel Lazaj, ka reaguar nga burgu i Vlorës ku vuan dënimin, duke treguar se ai nuk ka treguar asnjëherë përpara organeve të drejtësisë, mbi aktivitetin kriminal të trafikut të drogës.
“…Mua më kanë dënuar për trafik drogë, në 2021 është bërë gjyqi, kam pasur të penduar Aurel Lazaj…”-ka treguar Jurdi Bedinaj.
Më tej ky i fundit thotë se: “…Unë nuk kam lidhje fare me këtë cështje. Unë jam i dënuar për një çështje të 2017, ku një nga të pandehurit e drejtësisë, ka nxjerrë emrin tim dhe më kanë dënuar me 14 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar u dënova me 9.4 vite burgim. Mos më hapin mua problem kot, të më fusin probleme me njerëzit me këto rrenat e tyre dhe të marrin informacion të plotë. Jam 3 vjet e dy muaj në burg, kam dhe gati 5 vjet e gjysëm akoma…”.
Për verifikimin e pozicionit të tij në këtë çështje, Bedinaj thotë se: “…të marin informacion të detajuar nga institucionet përkatëse të drejtësisë, para se të nxjerin një lajm në media se kush është bërë i penduar i drejtësisë dhe kush jo, mos të nxjerin emra kot se na fusin në probleme…”.
Aurel Lazaj, është një ish-trafikant droge. Prej disa kohësh, ai mban statusin e të penduarit të drejtësisë dhe ruhet nën masa të rrepta sigurie.
Rrëfimi i tij, u konsiderua prova kyçe në dy procese që u zhvilluan në gjykatën për Krime të Rënda, ndaj të dyshuarve si anëtarë të një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Vlora drejt Italisë dhe Gjermanisë.

