KPP rrëzon vendimin e KESH për riparimin e dëmtimeve të turbinave në Fierzë e Vaun e Dejës
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar vendimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare për përjashtimin e dy kompanive nga procedurat e prokurimit. Sipas dokumentave, KESH ka kryer skualifikime të padrejta nga gara, çka është konstatuar edhe nga KPP. Komisioni i konsideron të bazuara ankesat e subjekteve të përjashtuara dhe ka urdhëruar anulimin e vendimit të KESH.
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar një tjetër vendim të Koropratës Elektroenergjitike Shqiptare për përjashtimin e dy kompanive nga një procedurë prokurimi.
Sipas dokumentave në mars të këtij viti, KESH ka zhvilluar procedurën e prokurimit për Riparimin e dëmtimeve të turbinave në Fierzë dhe Vaun e Dejës.
Fondi i përcaktuar kapte vlerën e 49.8 milionë lekëve dhe për të shfaqën interes dy operatorë ekonomikë, të cilët u përjashtuan nga gara me argumentin se nuk plotësonin kriteret e vendosura.
Ky fakt nuk është pranuar prej tyre, ndaj kanë dorëzuar ankesë pranë KESH duke kërkuar rikualifikim, por ky i fundit ka refuzuar të tërhiqet nga vendimi i tij.
Kjo ka bërë që gjithçka të përfundojë në dyert e KPP, i cili ka pranuar kërkesat e ankimuesve dhe i ka kërkuar institucionit që drejtohej nga Benet Beci të rikualifikonte të dyja subjektet.
Komisioni gjykon se me dokumentacionin e paraqitur operatorët ekonomikë dëshmojnë se kanë realizuar kontrata të ngjashme dhe kërkesa e tyre për shfuqizimin e vendimit është tërësisht i bazuar.
Ky është rasti i dytë në një periudhë të shkurtë që KPP rrëzon një tjetër vendim të KESH-it.
E njëjta situatë ndodhi pak ditë më parë në tenderin për “Rikonstruksionin e rrugës Vau i Dejës-Koman" me fond limit 2.5 miliardë lekë.
Komisioni i konsideronte kriteret e vendosura si diskriminuese duke ulur mundësinë e pjesëmarrësve në tender.

