"Ministrat e mi kanë marrë gjoba…", Rama: Hetim pasuror të rinjve me makina luksoze që shkelin Kodin Rrugor

Kryeministri Rama ka mohuar që zyrtarë socialistë, përfshirë edhe ministra nuk respektojnë ligjet dhe rregullat apo bëhen mburojë për ata që lëvizin me makina luksoze dhe shpejtësi skëterrë në rrugët e vendit.

Madje Rama tha se ministra të kabinetit të tij janë gjobitur nga policia për shkeljen e semaforit.

Rama: Kur të kapni makinën time, autokolonën apo makinat e ministrave që nuk respektojnë semaforët atëherë hajdeni dhe më bëni mua moral këtu. Semaforët, unë qëndroj në çdo semafor me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem kur ka ndonjë urgjencë. Kjo është e detyrueshme për të gjithë njësoj. Ministra e qeverisë time kanë marrë gjobë nga policia e shtetit, shoferët e tyre, për moszbatim të këtij rregulli. Se shumë gjëra janë për tu bërë nuk diskutohet por edhe që të harrohen gjërat të gjitha dhe të flitet këtu sikur jemi në kohën e atyre që nuk donin të dinin për semafor, nuk donin të dinin për asgjë dhe në Shqipëri kishte më shumë vrasje se ditë viti nuk mund të kalojë  kështu.

I pyetur nëse aksionin për ndarjen e hapësirave të plazhit do ta çojë deri në fund apo do të përfundojë si ai i ndërtimeve pa leje i nisur 8 vite më parë dhe që është akoma në proces, Rama dha këtë përgjigje.

Rama: Sa i takon ndërtimeve pa leje unë nuk kam bërë ndonjë aksion ndonjëherë, është punë e vazhdueshme, proces i vazhdueshëm që zhvillohet me operacioni të herëpashershme. Ndodhin në mënyrë të herëpashershme por në terësinë e tyre nuk mund të bëjmë krahasime fare fare fare me kohën kur u bë boomi i madh i ndërtimtarisë pa leje. Se çfarë përgjegjësish kam unë, ka qeveria, policia etj, të jeni të bindur se as nuk bëj asnjë përpjekje për ti shmangur, përkundrazi vetëm për ti vënë në pah. Nga ana tjetër mendoj se lënia e topit për çdo gjë te policia e shtetit jo vetëm nuk ndihmon dhe nuk është një mënyrë logjike për të zgjidhur më mirë gjërat, përkundrazi ndihmon ata që shkelin ligjin.

Sipas Ramës, teoritë që këtu vetëm populli i varfër ndalohet në rrugë se të tjerët lëvizin si duan kjo vetëm shton potencialin që njerëzit të shkelin ligjin dhe ofendojnë policinë se faktet nuk janë kështu.

Rama: Faktet janë se shumica dërmuese  respekton ligjin dhe rregullat dhe ka një pjesë shumë të vogël por që bën zhurmë shumë të madhe e cila krijon probleme. Jemi duke punuar për të parë sesi të rinj në mosha shumë të reja që përdorin makina luksoze dhe shkelin rregullat të mos mbarojë te gjoba dhe shkelja e patentës por të shkojë në hetimin e të ardhurave që kanë sjellë atë makinë, janë legjitime apo jo. Kjo kërkon pak kohë për tu sistemuar nga pikëpamja ligjore.