Masakra në Velipojë/ Rama i pashqetësuar: Turistët nuk vijnë nga Hëna, "konfirmon" në detyrë kryepolicin Ardi Veliu
Në daljen e parë për mediat pas aksidentit tragjik me 4 të vdekur dhe përplasjes me armë me 4 të vrarë për shezlongët në Velipojë, kryeministri Edi Rama shprehet se nuk ka një situatë të lartë kriminaliteti dhe e cilëson vetëm një alarm në media.
Ai shprehet se shifrat janë ndryshe dhe nuk ka asnjë ndikim në turizëm. Madje në konferencën për shtyp deklaroi se turistët nuk vijnë nga Hëna por nga vende ku dhe kanë probleme të vështira.
Edi Rama: Nuk jam i shqerësuar në aspektin e trendeve apo aksidenteve. Pasi trendet shikohen përtej 1 apo 2 ngjarjeve. Trendet janë brenda një limiti që përcakton shkallën si kriminaliteti apo aksidentet janë brenda kufijve të arsyeshmes në raport me të përgjithshmen.
Nuk diskutohet që ngjarjet janë tronditëse por për turistët mos kini merak. Atmosfera e një vendi ku medemek turistët nuk mund të vijnë sepse rrezikohen të vriten rrugëve është në ekran e jo në realitet. Fakti tregon se turistët po vijnë e do të vijnë, nuk ka asnjë ndryshim në raport me dëshirën apo prenotimet. Turistët nuk vijnë nga Hëna por nga vendi ku ka dhe problem të vështira dhe 1- 2 ngjarje tragjike nuk përcaktojnë nivelin e sigurisë apo pasigurisë në një vend.
Rama thotë se alarmi që po vihet në media nuk është në realitet dhe si ministri i Brendshëm thekson se policia nuk mund të jetë pas çdo konflikti mes fqinjëve që ndodh në mes të natës dhe gishtin e drejton tek gjyqësori.
"Të thuash që është bërë më keq sesa covid mund të thuhet por është bërë komplet… nuk di si ta çuaj
Të mos kalojmë në ekzagjerime se nuk zgjidhim asgjë. Nuk di si policia e shtetit mund të shmangë një aksident që është rezultat i çmendurisë së një individi në rrugë, apo të gjendet pas mesnate në një vend ku dy fqinjë bëjnë sherr. Por patjetër ka për tu përmirësuar. Por një gjë nuk ndryshon dot. Policia e shtetit nuk dënon, reagon dhe çon para gjykatës persona që shkelin ligjin."
Nëse vijmë tek armëmbatja pa leje nga pikëpamja legjislative kemi një legjislacion nga më të rëndët. Nga pikëpamja e njerëzve që shkojnë në gjykatë e tregojnë faktet, ndërsa nga pikëpamja e dënueshmërisë së këtyre njerëzve kemi problem. Nëse dënueshmëria nuk është në lartësinë e duhur edhe vreshti nuk ruhet sa duhet nga frika e ligjit, sepse duke parë rrushi rrushin se mund të kapësh me armë pa leje me 6 fishekë e të lënë në shtëpi. Ky është fakt.
Janë mijëra parcela plazhesh që administrohen dhe kanë marrë sipas ligjit dokumentacionin e nuk ka asnjë problem, disa janë me konflikte mes individëve. Nuk mund të marrësh plazhin duke u imponuar.
Rama nënvizon se "turistët nuk po kthehen mbrapsht. Asnjë turist nuk do të kthehet mbrapsht"
Shpresën e ka tek vetingu por do i duhet shumë kohë. Ndryshimet në polici janë të planifikuara por duket se nuk do të ketë reformim në kupolë
Policia theksoi Rama do të ketë mbështjetjen e plotë në detyrat e dhëna dhe nuk i del në mbrojtje asnjë kryebashkiaku.
Gjithashtu nënvizoi se reforma për ndarjen e parcelave të plazheve do të vijojë.

