Inflacioni në SHBA, kërcënim për ekonominë globale/ Rriten çmimet, bie vlera e parasë
Bursat botërore e kanë pritur negativisht deklaratën e njërës prej Bankave Qendrore amerikane për pritshmëritë mbi ekonominë.
Indeksi Nikei i Japonisë humbi të hënën 4 për qind të vlerës së aksioneve që menaxhon, ulje kjo më e forta ndër bursat e afërta aziatike, si ajo e Hong-Kongut dhe e Shangait.
Lëkundjet u shtrinë edhe në tregjet e Europës, me indeksin paneuropian "STOXX 600" në rënien më të ulët dyjavore, ndërkohë që shumë investitorë tërhoqën investimet.
Me 6 deri 8 për qind u zhvlerësuan edhe kriptomonedhat, u rrit vlera e metaleve të çmuara ndërsa kërkesa e lartë e çoi në 74 dollarë çmimin e fuçisë së naftës bruto për klientët e mëdhenj europianë.
Zhvillimet e fundit pasojnë paralajmërimin e bërë të premten nga shefi i Bankës Qendrore të San-Ljuisit, se Amerika po rrezikon shumë me inflacionin dhe po përgatitet të rritë normën bazë të interesit në fund të vitit të ardhshëm, ndërkohë që s'pritej diçka e tillë para 2024-ës.
Inflacioni nënkupton rritje të çmimeve dhe rënie të vlerës së parasë, ndërkohë që muajin e kaluar SHBA-ja raportoi një normë inflacioni 5 % më të lartë në terma vjetorë dhe shtrenjtim me gati 4% të mallrave të konsumit, më i madhi që nga viti 1992.
Amerika ka problem edhe me borxhin kombëtar që ka arritur mbi 28 trilionë dollarë ose 130 për qind të prodhimit të brendshëm, ndërsa konsumatorët ende po hezitojnë me shpenzimin e 1,6 trilionë dollarëve të akumuluara nga viti i kaluar gjatë izolimit prej pandemisë.

