"Luftë" për plazhet, digjen çadrat dhe shezlonget e një biznesi në Drimadhes
Pas masakrës me katër viktima në Velipojë, plumbat dhe zjarrvëniet krijuan panik edhe në plazhet e jugut. Një 28-vjeçar kërcënoi me pistoletë, pushuesit dhe punëtorët e një resorti në Drimadhes. Ndërsa në Dhërmi, 60 shezlongë u dogjën për shkak të konflikteve në shfrytëzimin e plazhit.
Vetëm disa orë pas masakrës me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur në Velipojë për ndarjen e plazhit, konfliktet për shfrytëzimin e vijjës bregdetare nisën edhe në jug.
60 shezlongë në pronësi të 55-vjeçarit Bilbil Domi u dogjën në zonën e Dhërmiut, vetëm disa orë pasi ai kishte marrë lejen e shfrytëzimit dhe këtë të hënë do të niste punën.
Ngjarja sipas policisë ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate.
Dyshimet janë se zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe shkak mund të jetë konkurrenca mes bizneseve që operojnë në zonë për shfrytëzimin e brezit rënor.
Hetimet në këtë pistë i ka orientuar vetë pronari i subjektit, i cili ka konfirmuar se ditët e fundit ka pasur debate me subjekte të tjerë, por nuk di kujt t’i drejtojë gishtin e akuzës.
Plumbat kërcitën ndërkohë në plazhin e Drimadhes.
Një 28-vjeçar i identifikuar si Hariz Fezaj, kërcënoi me një pistoletë pushues dhe punonjësit e një resorti, me të cilët pati një debat, ndërsa sipas burimeve ishte në gjendje të dehur.
I riu pas debateve qëlloi disa herë në ajër duke krijuar momente paniku mes pushuesve në plazhin e jugut.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati të lënduar.
Autori është larguar nga zona para mbërritjes së policisë, e cila njofton se 28-vjeçari tashmë në kërkim, përdori një pistoletë sportive.
Më herët gjatë natës u shënua një konflikt fizik mes disa personave në zonën e Jonufrit.






