Bashkia Tiranë, tender me letra false, KPK anulon procedurën dhe kërkon hetim
Skualifikimi i ofertës më të ulët në një prej tenderave të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës ka sjellë një tjetër skandal.
Në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë vetëm me largimin nga gara të një kompanie, por edhe me kritere të pabarabarta dhe falsifikim dokumentash.
Në procedurën për pastrimin e kryeqytetit me vlerë rreth 549 milionë lekë, institucioni nën drejtimin e Erion Veliaj ka larguar nga gara kompaninë që kishte ofertuar çmimin më të lirë me justifikimin se kishte mangësi në dokumentacion.
Kjo i hapte rrugë fitores së kompanisë Korsel shpk nën administrimin dhe në pronësi të Maksim Fejzulla.
Në fakt rezulton se për kontratën në fjalë shfaqën interes katër kompani, dy prej të cilave pa ofertë dhe në garë mbetën ato me ofertën më të lartë.
Por pas njoftimit subjekti Rej shpk ka shfaqur pakënaqësi në lidhje me vendimin pranë Bashkisë së Tiranës të cilat nuk janë marrë parasysh.
Kjo ka bërë që gjithçka të përfundojë në Komisionin e Prokurimit Publik, dhe ndër argumentet e listuara ishte dhe kërkesa për skualifikimin e kompanisë Korsel shpk me dyshimin për falsifikim dokumentash.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit rezulton se KPP ka vërtetuar pretendimin e subjektit ankimues duke kërkuar kështu skualifikimin e kompanisë Korsel Shpk.
Sipas dokumentave, Komisioni nuk ka marrë për shqyrtim asnjë pretendim tjetër, pasi që me këtë, Bashkia e Tiranë duhej ta kishte eleminuar nga gara.
Një kërkesë tjetër e Rej shpk, ishte dhe rikualifikimi i tij në garë, që edhe në këtë rast KPP ka dhënë një konkluzion të ndryshëm nga ai i Veliajt.
Me konstatimin e shkeljeve të mësipërme Komisioni gjykon se situata diskriminuese në të cilën janë vendosur operatorët përmes kritereve të paqarta përbën shkak për anulimin e kësaj procedure.
Madje, i ka propozuar Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e hetimit administrativ.
Por kompania Korsel shpk e administruar dhe në pronësi të Maksim Fejzulla, nuk është e panjohur në tenderat e bashkisë së kryeqytetit.
Së fundmi ajo rezulton fituese në mars të këtij viti për tenderin e Pastrimit të Zonës Tirana II me fond limit 33.6 milionë lekë.

