Masakra në Velipojë: Arrestohen 2 të plagosurit, në kërkim edhe tre djemtë e Hasan Verracakut

Konflikti për vendosjen e shezlongeve dhe hapësirën e plazhit shkaktoi katër viktima dhe dy të plagosur, mesantën e të shtunës në Velipojë.

Debati ka nisur në orën 00:30 mes familjeve Verracaku dhe Gocaj, të cilët kanë hotele rreth 50 metra larg njëri-tjetrit.

Pronarët debatuan në lidhje me ndarjen e plazhit, ndërsa në konflikt u përfshin edhe punonjësit.

Drejtori i policisë së Shkodrës tha se vrasjet kanë ndodhur në oborrin e hotelit të familjes Gocaj, ku anëtarët e familjes Veracaku dyshohet se kanë shkuar aty, të armatosur për të sqaruar problemet që kanë mes tyre.

"Është për shkak të ndarjes së pronësisë, mbi sipërfaqet e rërës që shfrytëzonin për vendosjen e shezlongeve të çadrave."

Gjashtë persona janë përfshirë në sherrin e armatosur, ku i riu ishte 17 vjeç. Të vdekur kanë mbetur Musaen Zeneli, 19 vjeç, që ishte punonjës i shezlongeve, Kujtim Verracaku 59 vjeç dhe dy vëllezërit Edmond e Xhovani Gocaj, 38 dhe 25 vjeç.

Ndërsa janë plagosur Elmidin Dyli 17 vjeç dhe Hasan Verracaku 54 vjeç.

Pasditen e të dielës, policia njoftoi arrestimin e këtyre dy të fundit, Hasan Verracakut dhe Elmedin Dylit, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e traumës., janë ndaluar pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në përplasjen me armë.

Policia po ashtu bën me dije se janë shpallu në kërkim tre vëllezërit, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku  dhe Besar Verracaku.

Njëri prej viktimave, Kujtim Verracaku është babai i Arjan Verracakut, 31-vjeçarit, i cili u gjet i vrarë më 1 shtator 2018 në periferi të Shkodrës.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera grupi i posaçëm hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit mbetën të vrarë me armë zjarri 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë, bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit:

H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Ngjarja tragjike ndodhi mesnatën djeshme ku nga përplasja me armë zjarri mbetën të vrarë.

Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç.