Masakra në Velipojë, tmerrohen pushuesit: Mendova se do na vrisnin, kemi frikë, shteti të ndërhyjë

Velipoja është zgjuar ditën e sotme nga një ngjarje e rëndë, ku pas një konflikti për shezlonget e plazhit, kanë mbetur të vrarë 4 persona dhe 2 të tjerë janë plagosur.

Debati ka nisur në orën 00:30 të 27 qershorit, mes familjeve Verracaku dhe Gocaj, të cilat kanë hotele rreth 50 metra larg njëri-tjetrit.

Pronarët debatuan në lidhje me ndarjen e hapësirës së plazhit ndërsa në konflikt u përfshinë edhe punonjësit.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e rëndë, pushuesit e zonës shprehen se janë tmerruar nga ajo që ndodhi dhe bën thirrje që shteti të ndërhyjë.

Ka nga ata turistë që nisën të largoheshin nga Velipoja prej orëve të para të së dielës.

''E rëndë shumë kjo ngjarje. Iku familja kot. Unë i dëgjova të shtënat sepse kisha kabinën këtu afër.Unë jam edhe me zemër e tension. Jam trembur shumë më kapi tensioni, mendova se do na vrasin. I thashe na vranë, u shemb shtëpia. Djali më tha mos dil jashtë. Shteti ka shumë gabime. Kemi frikë për veten dhe fëmijët," tregon një pushuese e cila ende nuk e ka marrë veten nga tmerri që ka përjetuar mbrëmë" thotë një pushuese.

Ndërkohë një tjetër bën me faj shtetin.

"Sot erdhëm. Duhet të ruhemi tashmë. Ne kemi ardhur për të pushuar, jo për krisma. 'Jemi ndjerë shumë keq. Kemi reagime ndaj këtyre që nuk i kanë drejtuar këto shezlonget. Apeli im është që qeveria ose bashkia të rregullojë këtë çështje.''

Ngjarja tragjike në Velipojë nxorri në pah problematikën e menaxhimit të sezonit turistik nga i gjithë sistemi institucional.

Më vranë djemtë

Babai i dy viktimave vëllezërit Gocaj tha se ishin në pritje të  ndarjes së plazhit nga institucionet por nuk ndodhi.

"Më vranë dy djemtë, çfarë më duhet jeta mua. Ne pritëm të vinin ti ndanin" thotë Pjetër Gocaj.

Për ngjarjen kanë reaguar edhe presidenti Meta, kryeopozitari Basha dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi.

Kryebashkiakia Ademi bën me faj Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare e Bregdetit, pasi nuk kanë vepruar në kohë me ndarjen e zonës së plazhit.