Rama paralajmëron riorganizim të Policisë së Shtetit, flet edhe për Lelin: Më ka mbyllur telefonin

Ngjarjet e fundit kriminale në vend, dhe tragjedia me 4 viktima në Velipojë mesnatës e së shtunës duket se do të sjellin një riorganizim të Policisë së Shtetit.

Paralajmërimin e ka bërë kreu i qeverisë Edi Rama.

''Tani do më duhet të largohem sepse kam thirrur me urgjencë ministrin e Brendshëm dhe disa drejtues të policisë, sepse do të lançojmë sa më shpejt fazën e re të ristrukturimit por që për arsye të mirëkuptueshme të përshpejtohet me disa javë."

Nga Vlora ku ishte i pranishëm me strukturat e Partisë Socialiste Rama hapi për herë të parë dyert e Teatrit "Petro Marko" që ishin të mbyllura për dy mbledhjet e thirrura nga Këshilli Bashkiak i cili prej javësh është në një konflikt të hapur me kryetarin Dritan Leli.

Rama ka thumbuar ish-aleatin e tij, kreun e Bashkisë ndërsa foli për administrim të dobët të qytetit.

''Së dyti është e rëndësishme që ne vazhdojmë intensivisht punën këtu në Vlorë. Sa i përket administrimit të vogël unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar, jo vetëm për Vlorën por me bashkitë që kanë detyrime ekstra që lidhen me industrinë e turizmit.''

Burime brenda mbledhjes kanë thënë për Ora News se Rama ka folur me tone të ashpra për Dritan Lelin duke thënë se ai nuk është zgjedhur në krye të Bashkisë, por është emëruar nga PS pasi nuk kishte kundërshtarë politikë.

Të njëjtat burime saktësojnë se Rama ka thënë se i kishte kërkuar Lelit të linte Bashkinë pasi po çalonte, dhe në parlament sipas Ramës, Leli do të kishte sukses, por ky i fundit e ka refuzuar këtë ofertë duke krijuar edhe krisjen mes tyre.

Rama ka thënë më tej se Leli i kishte fikur telefonin disa herë, ndërsa ka shtuar se nëse Leli nuk jep dorëheqjen socialistët duhet të punojnë që Vlora të ketë përfaqësim dinjitoz nga këshilltarët bashkiak.