I dënuar me 25 vite burg në Greqi dhe trafikonte emigrantë në Shqipëri arrestohet 54-vjeçari nga Dibra

Astrit Dedja, 54- vjeç,  i cili ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me 25 vite burg në Greqi për disa vepra të rënda penale, dhe që  konsiderohej me rrezik të lartë është arrestuar pasditen e sotme në Korçë.

Astrit Dedja, nga Dibra rezultoi se ishte organizatori i trafikut të 13 emigrantëve të paligjshëm të kapur më 25 qershor në Çërave të Pogradecit.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 25.06.2021, në fshatin Çërravë, Pogradec, ku u arrestua në flagrancë shtetasi R. K., i cili u kap duke transportuar kundrejt fitimit 13 emigrantë të paligjshëm, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim A. D., 54 vjeç, banues në Dibër, i cili nga veprimet hetimore të kryera rezulton se kishte rolin e organizatorit të kësaj ngjarjeje.”- njofton policia.

Sipas policisë Dedja është dënuar me 25 vite burg për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Dhunimi i banesës”, “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Gjykata e Apelit në Tiranë. 

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.