Tender për 22 orë?! Bashkia e Tiranës i jep “Korsel shpk” 49, 4 mln lekë

Një procedurë që ka qëndruar e hapur për vetëm 22 orë është nënshkruar së fundmi mes Bashisë së Tiranës dhe një kompanie private. Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimit Publik bëhet fjalë për pastrimin e një zone të qytetit me fondin limit 49.7 milionë lekë.

Tenderi rezulton të jetë  hapur në datën 26 qershor në orën 14 dhe është mbyllur një ditë më pas në orën 12.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj e ka nënshkruar këtë kontratë përmes negocimit me kompaninë “Korsel shpk” e cila kishte paraqitur ofertën prej 49.4 milionë lekë.

Sipas dokumenteve mori pjesë dhe një subjekt tjetër që më pas u përjashtua për mosplotësim të kritereve të veçanta.

Operatori “Korsel shpk”, në pronësi të Maksim Fejzulla ka marrë një tjetër tender në Bashkinë e Kryeqytetit.

Vetëm disa ditë më parë ishte komisioni I prokurimit publik që anuloi vendimin e institucionit të drejtuar nga Veliaj, Iicili jepte kompanisë “Korsel shpk”, rreth 549 milionë lekë. Komisioni gjykoi në fund se ky subjekt kishte falsifikuar dokumentet në procedurën ku kishte marrë pjesë dhe prandaj duhej skualifikuar nga gara.

Edhe pas këtij rasti  Bashkia e Tiranës, I ka besuar një tjetër tender, atë të pastrimit të zonës dy që në fakt për të njëjtin qëllim rezulton të jetë dhënë edhe një fond prej 33,6 milion lekësh në mars të këtij viti.  Po të njëjtit subjekt “Korsel shpk” KPP edhe më herët ka anuluar disa vendime të Bashkisë së Tiranës, të cilat janë konstatuar në shkelje të ligjit.