Prishtina nuk e diskuton kualifikimin, mposht 2-0 Escalades

Prishtina arrin objektivin e parë të aventurës në kupat e Europës teksa fitoi ndaj Inter d’Escalades me rezultatin 2-0 në takimin final të raundit paraeliminator të Champions League.

Në përballjen e luajtur në “Elbasan Arena”, kampionët e Kosovës nuk e diskutuan fitoren dhe natyrisht ishin favorite duke dominuar ndeshjen të cilën e fituan me golat e Endrit Krasniqit në 44’ dhe në 58’.

Skuadra e Zekirija Ramadanit nuk hasi vështirësi dhe tregoi forcën në këtë përballje ndërsa kjo fitore do të mbushë edhe arkën e klubit për avancimin më tej në Kupat e Europës.

Tashmë me këtë sukses, Prishtina do të luajë në raundin e parë eliminator të Championsit, ashtu si Teuta për ta krahasuar, dhe nuk do ta ketë aspak të lehtë pasi do të ketë përballë kampionët e Hungarisë, Ferencvarosi ku luan edhe bomberi shqiptar, Myrto Uzuni.