Maqedonia e Veriut zgjedh pasuesin e Angelovslit, emëron trajnerin e ri
Vetëm pak ditë pasi Igor Angelovski mbylli aventurën me Maqedoninë e Veriut, Federata e Futbollit nuk vonon të gjejë pasuesin.
Do të jetë Blagoja Milevski, 50-vjeçari që ka drejtuar ekipin e 21-vjeçarëve të Maqedonisë së Veriut, trajneri i kombëtares fqinje. Ashtu si Angelovski, Milevski ka arritur të kualifikojë në Europianin U-21 skuadrën maqedonase teksa më parë ka drejtuar edhe Vardarin e Shkupit në kampionatin vendas.
"Vizioni për të ardhmen tonë të futbollit me Blagoja Milevski si trajner i kombëtares maqedonase A është i qartë. Ai është njeriu që rigjeneroi rrjedhën e gjakut të futbollit maqedonas, krijoi një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh të cilët tashmë kanë luajtur në dy Kampionate Evropiane, të rinj dhe të rritur, dhe ne jemi të bindur se kjo rrugë duhet të vazhdojë", ishte deklarata e Kreut të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini.
Tani detyra e Milevskit është të përgatisë skuadrën që të vazhdojë punën e mirë të Angelovskit dhe në Shtator do të ketë provat e para në eliminatoret e Botërorit ku Maqedonia e Veriu e ka nisur mirë me 2 fitore në 3 ndeshje në Grupin J.
