Florentino Perez: Reali i ka lojtarët, Bale fantastik. Do të ketë largime
Në një intervistë të gjatë në shtypin spanjoll, presidenti Florentino Perez ka vënë pikat mbi “I” që nga merkato, emrat e mëdhenj, rasti Zidane, kandidatët e mundshëm e deri te çështja Ramos.
Për ta nisur për stolin, presidenti Perez tha se nuk ka folur asnjëherë me Pochettinon apo Conten dhe se Raul ishte një kandidat potencial por për të u shpreh se në të ardhmen do të jetë te Reali ndërsa tani kishte nevojë për eksperiencë ndaj dhe zgjodhi Carlo Ancelottin.
Lidhur me rastin e Zidane, numri 1 i klubit spanjoll u shpreh se francezi do të mbetet një legjendë e Real Madrid dhe se gjithmonë do ta ketë të hapur derën e klubit ndërsa zbuloi se ish trajneri i tij ka ëndërr stolin e Francës dhe se në bindjen e tij do ta arrijë këtë objektiv.
Duke folur për merkaton, Florentino Perez nuk bëri asnjë premtim të madh e për më tepër sipas tij, skuadra është shumë e fortë madje duhet të ketë largime.
“Kemi një ekip shumë të forte dhe me shumë lojtarë të rinj. Aktualisht janë 35 lojtarë dhe ne duhet të regjistrojnë vetëm 25. Disa do të largohen në huazim. A do të ketë një galaktik në merkato? Gjithmonë Real Madridi punon për të patur më të mirët në skuadër. Mbappe? Nuk mund të flas për lojtarët e skuadrave të tjera por gjithmonë te Reali do të jenë më të mirët, ndoshta duhet të vijnë që 18 vjeç dhe ne duam të rinovojmë e të kemi talente”.
Lidhur me çështjen Ramos, Perez tha se do të ishte i lumtur që ai të gjente një klub që do t’i ofronte më shumë se Real Madrid ashtu siç ndodhi me Ronaldon ndërsa për Gareth Bale foli me superlative duke lënë të kuptohet se uellsiani do të qëndrojë dhe mund të shpërthejë sërish me Ancelottin.
Në fund të intervistës së tij të gjatë, Perez pranoi se projekti i Superligës vijon ende dhe se pritet një vendim nga gjykatat duke shtuar se UEFA nuk mund të ndëshkojë klubet nëse ndërmarrin hapa të tillë.
