I lodhur nga pritja e negociatave me BE, Pendarovski: Koha të riaktivizojmë marrëveshjen e vitit 2008 me SHBA

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, është skeptik se Maqedonia e Veriut do të mund të marrë në një kohë të shpejtë një datë për negociata me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, nëse BE-ja nuk ndryshon parimin e vendimmarrjes dhe nëse vendoset me konsensus, jo vetëm ky vend, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë asnjë shans të bëhen pjesë e familjes evropiane, edhe nëse të gjitha reformat e kërkuara bëhen.

Kreu i Shtetit maqedonas nënvizon se çështjet historike midis vendit të tij dhe Bullgarisë fqinje nuk mund të jenë kriter për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Çfarë sikur kontesti me Bullgarinë zvarritet me vite. Nuk them 25 vite si me Greqinë, por s’mund të qëndrojmë duarkryq dhe të presim nga Brukseli lajme të mira sepse objektivisht ne në pjesën e këtyre bisedimeve dhe negociatave që i kemi vitin e fundit me Bullgarinë, nga ana jonë shkuam deri në fund, s’kemi më ku. Ne praktikisht s’kemi çfarë të ofrojmë më shumë, çdo gjë përtej kësaj do të ishte…këtë e thash edhe vitin e shkuar në një intervistë dhe disa u habitën, nëse çmimi për hyrje në BE është që të tjetërsohemi, BE e këtillë nuk na duhet" – deklaroi Stevo Pendarovski.

Në kushtet kur integrimi europian duket një ëndërr e largët, Pendarovski propozon që Maqedonia e Veriut të fokusohet në marrëveshjen me SHBA-në për bashkëpunim nga viti 2008.

"Ishte një mesazh politik se nuk jemi të harruar, nuk jemi vetëm. Megjithatë, për mendimin tim, ka të paktën 4 deri në 5 fusha në këtë marrëveshje që ne duhet të përpiqemi t’i konkretizojmë dhe të hyjmë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara më konkretisht. Për këtë punë, ndoshta së shpejti do të kemi disa takime në nivelin e udhëheqjes së shtetit dhe natyrisht me partnerët tanë amerikanë – tha Stevo Pendarovski.

Ringjallja e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara nuk do të thotë të neglizhohet rruga drejt Bashkimit Evropian.

Pas zgjedhjes së qeverisë së re në Bullgari, Pendarovski pret qëndrime të qarta nga pala bullgare mbi heqjen përfundimtare të bllokadës.