Kosova ngre padi ndaj Malit të Zi, kërkon kthimin e pronës në Budva të blerë në 1961
Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka paditur Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf Beach Properties”, duke kërkuar kthimin e rreth 4,500 metrave katrorë pronë në shëtitoren Rafailoviq.
Kjo sipërfaqe toke më parë ishte një vendpushim për fëmijë.
Ndërkohë, në këtë padi pretendohet kjo parcelë ishte blerë gjashtë dekada më parë nga ana e Kosovës.
Minisria e Drejtësisë së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata e Kotorrit që të lëshojë masën e përkohshme që ndalon tjetërsimin e pronës deri në përfundimin e kësaj çështjeje në gjykatë.
Sipas padisë pretendohet se Kosova është pronare e kësaj toke dhe si provë i ka bashkangjitur një marrëveshje të blerjes të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut të Kotorrit, ku parcelën prej 4,555 metra katrorë e kishte blerë Këshilli Social për Çështjet Politike dhe Sociale.
Komuna e Budvës, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës ka kundërshtuar procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të pavlefshme.
Kohë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Malit të Zi, pasi Gjykata Themelore e Kotorrit kishte refuzuar padinë që pretendon se kompania Rekreaturs u ka vjedhur pronën e Kosovës prej 33 mijë metrash katrorë në plazhin e Kamenovës.
Gjithashtu AKP ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg dhe është duke pritur vendimin.

