Qëndroi 10 ditë në koma pas aksidentit me motor, humb jetën 29-vjeçari shqiptar në Itali
Nga OraNews Përditësimi i fundit 21 Qershor 2021, 22:00
Stiliano Filipi, 29-vjeç ka ndërruar jetë në Itali, pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve që mori pas një aksidenti automobilistik. Mediat italiane, bëjnë me dije se i riu shqiptar ishte në koma që prej 11 qershorit, kur u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik.
Stiliano Filipi po udhëtonte me motor në Dervio, kur u përplas me një furgon dhe me urgjencë u dërgua me helikopter në spitalin e Varese-s.
Mediat raportojnë se mjekët nuk i dhanë shumë shpresa familjes për 29-vjeçarin. Megjithatë ai qëndroi gjallë për 10 ditë, por nuk ia doli që të mbijetonte, duke ndërruar jetë ditën e sotme.

