Rinis doza e parë e vaksinës kineze, mosha zbret në 50 vjeç, paralelisht edhe injektimi i dozës së dytë
Nga kjo e hënë në Shqipëri ka nisur vaksinimi i personave mbi 50 vjeç. Po ashtu me mbërritjen e 50 mijë dozave Coronavac ka rinisur injektimi i dozave të para me prodhimin kinez.
Me mbërritjen e 50 mijë vaksinave kineze ka rinisur edhe injektimi i dozave të para me të.
Erida Nelaj, eksperte e vaksinimit në ISHP, sqaron se procesi po vijon normalisht dhe shpërndarja është bërë njëkohësisht në të gjithë vendin.
"Me ardhjen e vaksinës Coronavac ka filluar vaksinimi me dozat e para për këtë vaksinë ndërkohë që vazhdojnë dozat e dyta me AstraZeneca, Pfizer, Sputnik."
Nelaj gjithashtu thotë se ka nisur edhe aplikimi i vaksinës për personat mbi 50 vjeç, megjithatë sqaron ajo, prioritet mes tyre do të kenë të sëmurët kronikë.
"Jemi në fashën 50+, fokus kanë gjithmonë në të sëmurët kronikë ndonjëherë dhe përtej kësaj fashe."
Në lidhje me vendimin e Gjermanisë për të mos e njohur imunizimin me vaksinën kineze, Nelaj thotë se në këto raste është në dorë të shteteve pritëse, por sqaron se kjo vaksinë tashmë është e njohur nga OBSH.
"Jemi shumë më të qetë për të ofruar dhe vazhduar vaksinimin me këtë vaksinë që është e sigurt dhe efikase.Vendet vetë mund të marrin vendime të njëanshme por kjo nuk është në dorën tonë."
Këtë të hënë nga çadrat e vaksinimit në sheshin "Skënderbej", ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmëroi mbërritje e dozave të tjera të vaksinave anti-Covid.
"Më shumë se 11 mijë doza të vaksinës Pfizer që mbërrijnë në kuadër të kontratave që ne kemi lidhur me Pfizer dhe BE."
Deri tani janë vaksinuar 880 912 qytetarë me dozën e parë dhe të dytë dhe fatmirësisht nuk ka pasur efekte anësore prej tyre.
Ndërkohë shumë e qetë paraqitet situata në spitalin Infektiv ku ndodhen të shtruar vetëm 3 pacientë.