“Shtëpi bari” në Shijak, kultivuesit i shpëtojnë policisë, pranga dy elektriçistëve

Tre persona janë shpallur në kërkim nga policia pasi përshtatën një shtëpi për kultivimin e bimëve narkotike me ngrohje përmes llampave. Por ndërsa kultivuesit i shpëtuan arrestimit, në pranga përfunduan dy punonjës të OSHEE.

Një e ashtuquajtur "shtëpi bari" është zbuluar në fshatin Hardhishtë të Shijakut.

27-vjeçari Andi Dashi (Greca), në bashkëpunim me Valter dhe Idajet Grecën, ky i fundit punonjës i OSHEE kishin përshtatur një banesë për kultivimin e bimëve narkotike.

Ata kishin vendosur aty aparatura ngrohje me llamba dhe kishin ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike.

Policia  kishte marrë informacion për këtë veprimtari, por kur ndërhyri për të finalizuar punën hetimore tre kultivuesit e drogës arritën ti shpëtojnë arrestimit.

Në pranga përfunduan Ervin Stafa dhe Xhavit Istrefi, me detyrë faturist dhe elektricist pranë OSHEE-së.

Ata akuzohen se në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike).

Të ashtuquajturat “shtëpi bari” e konsideruar si traditë në Angli apo vende të tjera të BE, janë konfirmuar si trendi i ri i kultivimit të bimëve narkotike këtë vit në Shqipëri.

Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, policia ka zbuluar disa raste dy prej të cilave në kryeqytet.