Ambulantët e Durrësit kërkojnë treg: Punojmë për bukën e gojës, s'kemi mundësi për dyqan

Shitësit ambulantë në plazhin e Durrësit kanë dalë në protestë për herë të dytë.

Një vendim i Bashkisë Durrës, për të mos i lejuar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre, i ka revoltuar ata.

Kërkojnë rishikim të vendimit, pasi luftën po e bëjnë jo për fitime por për mbijetesë.

"Punojmë për bukën e gojës. Nuk kemi mundësi për dyqan ne, në borxhe jemi."

"Nuk kemi ku të mbytemi në ujë, më mirë shteti të na marrë e të na varë, ose të na japë zgjidhje të punojmë."

Tregtarët i bëjnë thirrje  kryebashkiakes Emirjana Sako, që të tërheqë vendimin.

"Të na japin dhe ne të drejtë. Dje më ka bërë terror policia bashkiake, më ka prishur qepenin, më ka prishur mallin në garazh."

Këtë të hënë kanë nënshkruar edhe një peticion, ndërsa Bashkia e Durrësit ende nuk ka reaguar në lidhje me këtë situatë.