Zgjedhjet për kryetar të PD/ Hoxha: Nuk kishte garë. Pritet që ne të ngelemi në opozitë për 12 vite
Dje, më 13 qershor u bënë zgjedhjet e Partisë Demokratike për kryetarin e ri të partisë.
Nga rezultatet e deritanishme, Lulzim Basha ka siguruar mandatin e tretë në krye të partisë së dytë më të madhe në vend.
Të dhënat paraprake nga selia blu flasin për një fitore të Bashës. Nga tre rivalët e tjerë të zotit Basha, i dyti u rendit Agron Shehaj, duke lënë pas Edit Harxhin dhe Fatbardh Kadillin.
Ish nën kryetari i FRPD-së, Lisandër Hoxha, thotë për emisionin Ditë e Re me moderatorë Arjola Shehu dhe Arjon Muça, nga zgjedhjet e djeshme nuk ka ndryshuar asgjë, pasi nuk kishte garë.

"Jemi siç ishim para zgjedhjeve të 13 qershorit. Nuk kishte kushte për garë, që do të thotë të gjithë mekanizmin e partisë e kishte Basha për veten e tij", thotë Hoxha.
Ai shton se Partia Demokratike rrezikon të qendrojë në opozitë dhe për 12 vite tjera.
"Pritet që ne të ngelemi në opozitë për 12 vite. Nuk është dramë për një shoqëri të rrëzojë një qeveri edhe pa e mbyllur mandatin. Por në këtë formë ju garantoj, që është shumë më poshtë se në 2017-ën.
Vërtet mund ta rrëmbesh vulën e partisë, duke përdorur mekanizmat e partisë për një mandat tjetër, por shoqërisë nuk të ndjek pas."
Lisandër Hoxha shpjegon se elektorati i PD-së është zhgënjyer dje se në zgjedhje janë bërë shumë manipulime.
"Është si tifozeria. Po re nga kategoria e parë, numri i tifozëve bie, ngelen disa fanatikë. Të njëjtën gjë po bën PD-ja. Ka rënë nga kategoria dhe nuk reflekton. Shqipëria ka nevojë sot për një opozitë të fortë, të rrëzojë marrëzitë e qeverisë ."
E kanë ndarë mendjen ta mbajnë peng vulën dhe logon e PD. Demokratët duhet të bëjmë një analizë, ku gabuam ne dhe çfarë gjërash mund të bënim ne më mirë."
