Ndërtim pa leje në Voskopojë, arrestohen punëtorët, në kërkim pronari i ndërtesës

Policia e Korçës ka arrestuar tre persona pasi u kapën duke kryer ndërtime pa leje, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i ndërtesës ku po kryheshin punimet.

Objekti pa leje po ndërtohej në fshatin Voskopojë.

"Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale "Ndërtimi i paligjshëm", i shtetasve I. K., 45 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, F. K., 44 vjeç, banues në fshatin Lavdar, Korçë dhe E. K., 34 vjeç, banues në fshatin Turan, Korçë, të cilët u kapën duke kryer punime në këtë objekt. Gjithashtu u shpall në kërkim pronari i ndërtesës, shtetasi A. Sh., banues në Tiranë, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se nuk dispononte leje ndërtimi nga autoritetet kompetente" njoftoi policia.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.