Ministria tërhiqet por jo maturantët: Të sqarohet skema e uljes së pragut të pikëve dhe efekti në nota
Maturantët nuk ndalin protestat edhe pse Ministria e Arsimit doli me vendim per rishikimin e pikëve të vlerësimit në provimin e matematikës. Në Tiranë disa të rinj bënë thirrje për bojkot të testit të fundit, në rast se nuk sqarohet se sa efekt ka në notë tërheqja e Ministrisë.
Pas protestave të maturantëve për provimin e matematikës, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, vendosi të ule pragun e pikëve për çdo notë. Përmes një videomeszhi në rrjetet sociale, Kushi tha se vendimi është marrë, por do të vijojnë diskutimet për të zgjidhur çdo shqetësim të maturantëve.
“Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve, dhe pa dyshim duke konsideruar situatën e një viti jo normal e të vështirë të pandemisë, ku pavarësisht se maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua online, kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë”.
Megjithatë, tërheqja e Ministrisë nuk i zbehu plotësisht protestat. Të rinjtë, megjithëse të paktë në numër, u mblodhën në Tiranë, Fier dhe Vlorë.
Maturantët thanë se nuk janë të qartë se sa i efektshëm do të jetë ky ndryshim dhe nëse do të ndikojë te nota e tyre apo jo.
"Jemi të paqartë, nuk e dimë se sa do jetë kjo ulje, nuk e dimë se sa pikë di të ulen. Nuk e besojmë atë që thotë ministrja", tha një maturant që protestonte jashtë Ministrisë së Arsimit.
Ministria e Arsimit ka njoftuar një deklaratë për mediat në orën 17:00 ku pritet të japë dhe sqarimet e nevojshme.
Në Fier nuk munguan as debatet me përfaqësues të Drejtorisë Arsimore.
Pas këtij momenti të rinjtë u sqaruan se si do të funksionojë skema e uljes së pikëve.
Në këtë protestë është hedhur idea e bojkotit të provimit të radhës.
Megjithatë të rinjtë nuk kanë të njëjtin qëndrim. Nga Tirana bëjnë thirrje për bojkot.
Ndërsa nga maturantët në qytetet e tjera thonë se do të marrin pjesë në të.
Rreth 34 mijë maturantë do të zhvillojnë provimin e lëndëve me zgjedhje ditën e martë, ndërsa rezultatet e të gjitha provimeve pritet të dalin brenda muajt qershor.